Edi Rama thotë se nisma “Ballkani i Hapur” nuk është e mbyllur

Tiranë, 30 dhjetor 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të shtunën se ai asnjëherë nuk e kishte deklaruar të mbyllur nisëm “Ballkani i Hapur”.

“Ajo nismë vazhdon, që të jemi shumë të qartë dhe Shqipëria as nuk e ka mbyllur se nuk e mbyll dot një palë”, ka thënë Rama, në konferencën e fundvitit për medie, në Tiranë.

Ai ka thënë se deklaratat e tij të mëparshme lidhur me këtë nismë janë keqkuptuar.

“Unë nuk kam thënë asnjëherë që kam mbyllur Ballkanin e Hapur se është dhe si shprehje qesharake. Unë kam thënë diçka krejt tjetër që është thënë në një kontekst të caktuar dhe shprehimisht kam thënë që e ka kryer misionin e vet në atë kontekst, por që nisma në vetvete është një nismë që është si nisma të tjera dhe që nuk hapet dhe nuk mbyllet nga unë”, ka thënë.

Gazetarët kanë përkujtuar se në muajin korrik Rama kishte thënë se “Ballkani i Hapur” ishte një nismë “për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit” dhe se ajo “e ka kryer atë mision për të cilin ka lindur”.

 “Sot po e marr vesh se unë e paskam mbyllur ‘Ballkanin e Hapur’. Mua nuk më rezulton të kem bërë ndonjë mbyllje. Madje, unë e kam shpjeguar që ‘Ballkani i Hapur’ nuk hapet dhe nuk mbyllet me një çelës nga një person apo nga njëra palë”, është shprehur ai.

Kryeministri Rama e kishte paralajmëruar përfundimin e nismës “Ballkani i Hapur’ më 23 qershor, pasi Beogradi e kishte shpërfillur thirrjen e tij për lirimin nga burgu të tre policëve të Kosovës të kidnapuar brenda territorit të Kosovës.

Rama kishte deklaruar se nuk do të takohej dhe nuk do të fliste me Vuçiqin për asgjë tjetër, përveçse për këtë çështje që i kishte ngritur edhe më shumë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se ai ishte i habitur me deklaratën e Ramës. 

“Nuk mund ta besoj se ai [Rama] e ka thënë një gjë të tillë”, kishte deklaruar Vuçiq.

Rama e kishte shpallur “të vdekur” nismën “Ballkani i Hapur’, pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Tiranë.

Nisma “Ballkani i Hapur”, e cila ishte inicuar në Novi Sad, më 10 tetor 2019, nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

(r.m.)