Kairo, 8 gusht 2024 – Egjipti i ka udhëzuar të gjitha linjat e veta ajrore ta shmangin hapësirën ajrore të Iranit për një periudhë kohore prej tri orëve mëngjesin e së enjtes, pas rritjes së tensioneve mes Izraelit dhe Iranit.
NOTAM, një njoftim i sigurisë dërguar pilotëve të mërkurën, thekson se udhëzimet vlejnë prej orës 1:00 deri në orën 4:00 të enjten në mëngjes.
Egjipti nuk dha asnjë hollësi pse e lëshoi një udhëzim të tillë.
“Të gjithë avionët egjiptianë do ta shmangin fluturimin mbi Teheran. Asnjë avion nuk do të lejohet të fluturojë mbi një territor të tillë”, thuhet në njoftim, duke iu referuar periudhës kohore triorëshe.
Ministria e Aviacionit Civil të Egjiptit tha më vonë të mërkurën se njoftimi ka për qëllim uljen e rreziqeve të sigurisë së fluturimeve, pas një njoftimi që mori nga autoritetet iraniane.
“Stërvitje ushtarake do të mbahen mbi hapësirën ajrore iraniane më 7 gusht, nga ora 11:30 deri në orën 14:30, dhe nga ora 4:30 deri në orën 7:30 më 8 gusht, sipas kohës së Teheranit”, thuhet në njoftim.
Shumë kompani ajrore janë duke i rishikuar oraret e fluturimeve të veta për t’i shmangur hapësirat ajrore të Iranit dhe Libanit, si dhe janë duke i anuluar fluturimet për Izrael dhe Liban, nga frika për shpërthimin e një konflikti të gjerë, pas vrasjes së anëtarët të lartë të Hezbollahut dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.
“Një njoftim i tillë NOTAM nga Egjipti është shumë i pazakontë. Ka gjasa se ky mund të jetë tregues për një përgjigje të mundshme të Iranit kundër Izraelit, por, njëkohësisht, arsyeja mund të jetë tjetër”, tha OPSGROUP, një organizatë e cila ndan të dhëna për rreziqet e fluturimeve.
Të dielën, autoritetet jordaneze u kërkua të gjitha kompanive ajrore që aterojnë në aeroportet e Jordanisë, të bartin karburant shtesë të vlefshëm për 45 minuta fluturim.
Vendet e rajonit, përfshirë Jordaninë, i mbyllën hapësirat ajrore në fillim të këtij viti gjatë sulmeve ajrore kundër Izraelit.
(Radio Evropa e Lirë)