Ejup Maqedonci emërohet ministër i Mbrojtjes, në vend të Armend Mehajt

Prishtinë, 8 gusht 2023 – Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, e mori detyrën e ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, të martën, më 8 gusht. Ai e zëvendësoi në këtë detyrë Armend Mehajn, i cili dha dorëheqje nga kjo detyrë.

Kryeministri Albin Kurti njoftoi për lirimin e Mehajt nga pozita e ministrit të Mbrojtjes dhe për emërimin e kolonelit Maqedonci në këtë pozitë.

“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës. Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai njoftoi se sot, në një takim të përbashkët me ish-ministrin Mehaj dhe me komandantin e FSK-së, Gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari, ministrit të sapoemërruarr Maqedonci i ka uruar punë të mbarë “në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”.

Ish-ministri Mehaj njoftoi se ai ka dhënë dorëheqje për arsye familjare, për çka e kishte njoftuar kryeministrin Kurti kohë më parë.

“Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës! Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.

“Pas shumë vitesh shërbim në uniformë, për mua si ushtarak ka qenë përgjegjësi dhe privilegj ta merrja këtë detyrë kaq të lartë, nëpërmjet të cilës profesionalizmi dhe përvoja ime ushtarake, erdhën në shprehje në formë politikash dhe strategjish shtetërore. Që nga 22 marsi i vitit 2021, kur u zgjodh qeveria Kurti 2 dhe deri sot, ka qenë një rrugë e gjatë dhe me plot sfida, me shumë punë dhe përpjekje, me përgjegjësi të lartë përballë detyrave dhe me vetëdije politike përballë historisë. Por në këtë rrugëtim, kishim një vizion të përbashkët politik me Kryeministrin Albin Kurti dhe me ministrat e Qeverisë së Kosovës, të cilët dua t’i falënderoj për punët e bëra bashkë deri sot si drejtues ministrish në kabinetin qeveritar”, ka shtuar ai. 

Mehaj e ka falënderuar kryeministrin Kurti “për besimin e plotë dhe mbështetjen e vazhdueshme” dhe ka shprehur bindjen se trashëgimtari i tij në  pozitën e ministrrit të Mbjtjs, Ejup Maqedonci, është njeriu i duhur për këtë detyrë. “një person profesionist, patriot dhe i dëshmuar”.

Mehaj ka renditur një sërë suksesesh të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë mandatit të tij si ministër.

Mehaj ishte emëruar ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës në mars të vitit 2021. Para se të emërohej në këtë pozitë ka jetuar e punuar në Norvegji.

https://www.facebook.com/mehaj.armend/posts/614166810824703?ref=embed_post

Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka dalë në pension të parakohshëm nga kjo forcë në korrik të këtij viti.

Gjatë luftës në Kosovë, ai ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit. Pas luftës ka qenë pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Ai ka qenë komandant i batalionit të TMK-së për kërkim-shpëtim e pastaj shefi i Departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.

Pas pensionimit, Maqedonci ishte dekoruar nga ministri Mehaj me “Medaljen e Karrierës”, për kontributin e dhënë për formimin, ristrukturimin dhe modernizimin e FSK-së.

(r.m.)