Prishtinë, 21 tetor 2021 – Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka thënë më 21 tetor, se të premten, më 22 tetor, qytetarët do të mund të vaksinohen kundër koronavirusit në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Sipas kësaj Ministrie, ekipet mobile do të jenë në ato hapësira në periudhën 10:00-17:30.
Në një komunikatë për media është thënë se kjo praktikë do të zbatohet së shpejti edhe në komuna tjera të Kosovës.
Prej nisjes së fushatës së vaksinimit 686.238 persona janë vaksinuar plotësisht kundër këtij virusi derisa 833.695 persona kanë marrë dozën e parë.
Deri më 21 tetor në orën 15:00 është vaksinuar plotësisht 38.1 për qind e popullsisë së përgjithshme.
Autoritetete shëndetësore kanë thënë të enjten se kanë regjistruar 18 raste me koronavirus, pas testimit të 2.198 mostrave.
Në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë.
Autoritetet shëndetësore kanë thënë se më 21 tetor, 23 persona janë shëruar derisa 510 persona janë ende aktivë në koronavirus.
Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 160.000 raste të infektimit.
Prej tyre 2.974 persona kanë vdekur.
(REL)