Skuadrat e Ligës Premiere të Anglisë u tërhoqën nga ‘Super Liga’ Evropiane të martën duke krijuar pasiguri për të ardhmen e projektit vetëm 48 orë para zyrtarizmit të tij.
Mançester Siti ishte ekipi i parë që u tërhoq, i pasuar nga Mançester Unajtedi, Liverpuli, Arsenali dhe Totenhem Hotspuri. Sipas mediave britanike, edhe Chelsea po përgatitet të braktisë ligën dhe do të konfirmojë vendimin së shpejti.
Një numër i madh tifozësh u mblodhën jashtë stadiumit të ekipit Chelsea, Stamford Bridge, përpara ndeshjes me ekipin Brighton & Hove Albion për të protestuar kundër propozimit për të formuar një ligë të shkëputur me 12 skuadra për të rivalizuar Ligën e Kampionëve.
Gjashtë skuadrat më të mëdha angleze, së bashku me skuadrat spanjolle të Atletiko Madridit, Barcelonës dhe Real Madrid, si dhe skuadrat italiane të Milanos, Interi dhe Juventusit, njoftuan të dielën se do të krijonin një ligë të re, të shkëputur.
Nuk ka patur ende një konfirmim nga klubet e tjera nëse ato gjithashtu do të tërhiqen nga planet për krijimin e ‘Super Ligës’ evropiane.
Njoftimi për krijimin e Super Ligës u prit me kundërshtime të ashpra.
Kritikët thanë se lëvizja do të shkatërronte strukturën tradicionale të lojës.
Dymbëdhjetë klube të mëdha evropiane, gjashtë nga Britania, tre nga Spanja dhe tre nga Italia të dielën njoftuan planet për krijimin e një gare të re që do të rivalizonte, por jo të zëvendësonte ligat dhe kampionatet ekzistuese.
Arsyeja kryesore për këtë projekt është krijimi i një burimi të ri të ardhurash, tha analisti i financave sportive Borja Garcia.
“Për shkak të pandemisë ekipet si Mançester Unajtedi, Mançester Siti, Real Madridi, dhe pothuajse çdo klub në Evropë dhe në botë janë në borxhe masive. Por klubet e mëdha kanë më shumë borxhe sepse ato duhet të paguajnë rroga shumë më të mëdha, ato varen më shumë nga spektatorët”, tha ai.
Banka amerikane J.P. Morgan Chase do të siguronte financat për Super Ligën, dhe secili klub themelues i ligës do të përfitonte nga fondi prej 4.2 miliardë dollarësh.
Kryetari i Super Ligës është presidenti aktual i ekipit spanjoll të Real Madridit.
“Ne jemi duke e bërë këtë për të shpëtuar futbollin, i cili është në një moment kritik”, tha kryetari i Super Ligës, Florentino Perez.
Planet kishin bashkuar një koalicion të gjerë kundërshtarësh. Një anketë sugjeroi se pothuajse 80 përqind e tifozëve britanikë të futbollit e urrejnë idenë.
“Unë mendoj se është më e neveritshme, kapja më lakmitare e pushtetit që kemi parë ndonjëherë”, thotë Ronan Evain, Drejtor Ekzekutiv i organizatës Tifozët e Futbollit në Evropë.
Kritikët e kanë etiketuar ‘Super Ligën’ një garë të mbyllur që do të shkatërronte ekipet më të vogla.
“Modeli Evropian i sportit supozohet të jetë pikërisht e kundërta, një model ku e gjithë piramida e futbollit është e lidhur së bashku, kështu që maja e piramidës ka për detyrë të kujdeset për pjesën e poshtme të saj”, thotë eksperti financiar i futbollit, Borja Garcia.
Bashkimi Evropian dhe qeveria britanike thonë se është jetike të ruhet ky model.
“Ne do të shohim gjithçka që mund të bëjmë me autoritetet e futbollit për t’u siguruar që kjo të mos finalizohet në mënyrën siç është propozuar aktualisht”, tha kryeministri britanik Boris Johnson.
Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA dhe FIFA, e cila mbikëqyr futbollin botëror, kanë kërcënuar të ndalojnë të gjitha klubet dhe lojtarët që marrin pjesë në ‘Super Ligë’ në garat e tyre, përfshirë Kupën e Botës.
“Nëse disa vendosin të ndjekin rrugën e tyre, atëherë ata duhet të jetojnë me pasojat e zgjedhjes së tyre”, tha Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino.
Super Liga është krijuar për të tërhequr tifozët jashtë Evropës dhe për të përfituar nga tregjet e reja. Disa tifozë në Azi shprehën mbështetje për këtë ide.
“Më së shumti jam i interesuar të shikoj këto ndeshje të mahnitshme dhe një garë të fortë. Kjo mund të jetë më shumë tërheqëse”, thotë Kevin Wang, tifoz i Inter Milanit nga Pekini.
“Jam dakord me këtë shkëputje, pasi lojtarët e futbollit mund të përmirësojnë pikat e tyre të forta në këtë ligë”, thotë Dalad Suriyo, tifoz i Mançester Unajtedit nga Bangkoku.
Në të dyja palët, forca të fuqishme po përgatiten për betejën, e cila mund të vendos për të ardhmen e këtij sporti global. (VOA)