Beograd, 25 tetor 2021 – Kampionati Botëror i Boksit u hap zyrtarisht të dielën, më 24 tetor, në Beograd dhe ceremonia u përcoll me fishkëllima, me rastin e parakalimit të sportistëve nga Shqipëria.
Sportistët nga Kosova nuk po marrin pjesë, duke qenë se autoritetet e Serbisë nuk kanë lejuar hyrjen e tyre me simbole shtetërore të Kosovës.
Në fakt, Federata e Boksit të Shqipërisë kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nga gara për shkak të këtij vendimi të Serbisë, por kjo gjë nuk ka ndodhur, për shkak të, siç thuhet, “presioneve nga ana e Qeverisë së Shqipërisë dhe Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA)”.
“Na është thënë se në rast të mospjesëmarrjes do të sanksionohemi me dhjetë vjet mospjesëmarrje në çdo aktivitet tjetër ndërkombëtar të AIBA-s”, tha për Radion Evropa e Lirë, kapiteni i ekipit të Federatës së Boksit të Shqipërisë, Nelson Hysa.
Ai përshkroi edhe atmosferën gjatë parakalimit të sportistëve nga Shqipëria në ceremoninë solemne.
“Normalisht, këtu (në Beograd) jemi pa dëshirën tone. Kemi presion të vazhdueshëm. Kur dola me flamur të Shqipërisë, kishte brohoritje, fishkëllima, gjuajtje. Në hotel ka qëndruar Policia e Serbisë për shkak të sigurisë sonë”, tha Hysa.
Autoritetet kufitare serbe, gjatë vikendit nuk e kanë lejuar të hyjë në Serbi delegacionin e përfaqësueses së Kosovës në boks, për shkak se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, respektivisht simbolet e saj.
Besim Brahimi, selektor i Federatës së Boksit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë të hënën se më nuk do tentojnë të marrin pjesë në këtë Kampionat. Sipas agjendës, boksierët e Kosovës të hënën, më 25 tetor është dashur të fillojnë garën.
“Ka marrë fund gjithçka, më nuk tentojmë. Në pikën kufitare na është thënë se është urdhër i Qeverisë së Serbisë që nuk lejojnë të marrim pjesë me simbole shtetërore në fanella. Pa simbole nuk pranojmë”, tha Brahimi për Radion Evropa e Lirë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, tha se Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.
Çeku tha se në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave sportive të Serbisë, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
Ai e dënoi ashpër vendimin e autoriteteve serbe që t’u pamundësohet boksierëve kosovarë pjesëmarrja në garat në Beograd.
“Besojmë se ky vendim i organizatorëve të garës botërore në Beograd është marrë sipas direktivave të Qeverisë së Serbisë”, tha Çeku.
“Qasja e Serbisë e ka tejkaluar botën e sportit, duke e kthyer atë në një çështje politike”, theksoi ministri Çeku.
(r.m.)