Uashington, 12 janar 2023 – Ekipi ligjor i Presidentit Joe Biden ka zbuluar dokumente të tjera të klasifikuara në një vend tjetër, pas atyre që u gjetën para disa ditësh në një zyrë ku zoti Biden kishte punuar pas mandatit si nënpresident. Gjetja e dokumentave ka ngjallur reagime të shumta megjithëse zoti Biden ka thënë se ishte befasuar nga gjetja e tyre dhe se ekipi i tij kishte ndërmarrë veprimet e duhura në përgjigje të situatës.
Lajmi për gjetjen e dokumentave të tjera u konfirmua për agjencinë Associated Press nga një burim që nuk pranoi të identifikohej, pasi nuk ishte autorizuar të diskutonte për këtë çështje. Ai nuk tha se ku u gjetën ato dhe nuk dha detaje mbi nivelin e klasifikimit të dokumenteve.
Në fillim të kësaj jave, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë po shqyrtonte “një numër të vogël dokumentesh të klasifikuara” të gjetura në zyrat e Qendrës Penn Biden, që zoti Biden i kishte përdorur pasi shërbeu si nënpresident nga viti 2017 deri pak para se të niste fushatën presidenciale në 2019.
Të martën, duke folur me gazetarët në Mexico City, zoti Biden tha se ishte i befasuar kur u informua se avokatët e tij kishin gjetur dokumente zyrtare në ish-zyrën e tij, por tha se avokatët e tij kishin reaguar siç duhej, duke njoftuar Arkivin Kombëtar.
Ai u pyet për këtë çështje pasi republikani kryesor në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve kërkoi që komuniteti i zbulimit të kryente një “vlerësim të dëmit” lidhur me dokumentet e klasifikuara.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre u përball të mërkurën me pyetje të ashpra nga gazetarët në lidhje me trajtimin e informacionit të klasifikuar nga zoti Biden.
Ajo tha se Shtëpia e Bardhë ishte e angazhuar për ta trajtuar çështjen në “mënyrën e duhur”.
“Kjo çështje po analizohet nga Departamenti i Drejtësisë. Nuk do të them me shumë nga ç’tha presidenti dje. Nuk do të them më shumë nga ç’ju thanë kolegët e mi në Shtëpinë e Bardhë. Këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë ju dha të gjitha detajet e asaj që ndodhi prandaj unë nuk do të them asgjë më shumë”, tha ajo.
Por ajo refuzoi të jepte detaje të tjera, përfshirë lidhur me faktin që Shtëpia e Bardhë priti më shumë se dy muaj për të njoftuar për zbulimin e dokumentave të klasifikuara të cilat u gjetën më 2 nëntor, ditë përpara zgjedhjeve për Kongresin. Ky fakt ka ngjallur kritika për mungesë transparence.
“Pse ai ose dikush në Shtëpinë e Bardhë nuk e informoi popullin amerikan kur këto dokumente u zbuluan më 2 nëntor? A kishte kjo lidhje me faktin se zgjedhjet ishin vetëm pas pak ditësh”, pyeti një gazetar zonjën Jean-Pierre.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk pranuan të komentojnë të mërkurën mbi gjetjen e dokumentave të tjera të klasifikuara.
Fakti që dokumente të klasifikuara u gjetën në ambjente jopresidenciale, mund të shkaktojë shqetësime për presidentin, i cili e ka quajtur vendimin e ish-presidentit Donald Trump për të mbajtur qindra dokumenta të tilla në Mar-a-Lago “të papërgjegjshëm. “
Kjo mund të ndërlikojë gjithashtu vendimin e Departamentit të Drejtësisë nëse do të ngrejë ose jo akuza kundër republikanit Trump, i cili ka pretenduar vazhdimisht se hetimi i departamentit për veprimet e tij përbënte “korrupsion”.
(Zëri i Amerikës)