Ekipi i UP-së del i pari në garën për siguri kibernetike të organizuar me partnerët nga Iowa

Prishtinë, 18 maj 2022 – Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur gara për siguri kibernetike, në kuadër të bashkëpunimit të Kosovës me Iowa-në, SHBA, gjegjësisht i Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare Ajrore nga Iowa.

Ekipi i studentëve të FIEK-ut me emërtimin garues “Runtime TERROR” është renditur në vendin e parë duke lënë prapa një ekip nga SHBA-ja për gati 120 pikë.

Ndërkaq, një ekip tjetër i studentëve të FIEK-ut, me emërtimin “It’s not a bug, it’s a feature”, është renditur në vendin e tretë të kompeticionit.

Organizimin e kësaj ngjarje e përshëndeti rektori i UP-së Naser Sahiti.

“Nismat e tilla të cilat e kanë studentin në qendër, janë vitale për UP-në. Njëherësh, fakti që në këtë kompeticion marrin pjesë edhe studentët e Universitetit Shtetëror të Iowa-s, na ndihmon edhe në vetë-evaliumin e punës sonë në fushën e rëndësishme të sigurisë kibernetike”, tha ai.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i përgëzoi studentët për suksesin e arritur.

Në këtë garë, e  cila ishte e para e këtij lloji në Kosovë, kanë marrë pjesë 12 ekipe nga institucione të ndryshme arsimore që kanë pasur rol mbrojtës, të njohur si “blue teams”. Ekipet garuese kanë punuar në mbrojtjen e resurseve digjitale (si: server, kompjuter, shërbime në internet, etj.) nga “sulmuesit” (red teams) që janë nga shteti i Iowa-s.

Një ekip monitorues “White team” nga Iowa ka qenë i pranishëm në Kosovë dhe së bashku me pjesëtarët e FSK-së e kanë monitoruar garën gjatë tërë kohës.

Grupet garuese të studentëve të FIEK-ut kanë garuar në përgatitje dhe mbështetje të prof. Blerim Rexha dhe ekipit të tij.

Rezultatet e garës mund të shikohen në këtë vegëz: https://iscore.iseage.org/, ndërsa skenari, rregullat e garës, resurset në përdorim, dhe informacione tjera të rëndësishme për ekipet pjesëmarrëse në lidhje me ushtrimin janë të paraqitura në vegzën në vijim: https://shorturl.at/gwyO3.

(r.m.)