Uashington, 12 tetor 2024 – Organizatës paraushtarake libaneze Hezbollah po i mbarojnë paratë, thonë studiuesit për Zërin e Amerikës, pasi sulmet disajavore izraelite kundër grupit të mbështetur nga Irani kanë ndërprerë tre nga burimet kryesore të parave.
Studiuesit në Shtetet e Bashkuara dhe Liban, si dhe raportet e Departamentit amerikan të Thesarit identifikojnë burimin kryesor të parave me emërtimin Al-Qard al-Hasan, ose AQAH, një institucion gjysmë-bankar libanez, por pa liçencë bankare, i drejtuar nga Hezbollahu, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Studiuesit thonë se ndër burimet e tjera të parave për Hezbollahun janë bankat tregtare të Libanit tashmë të falimentuara, por të liçencuara, dhe dërgesat e parave me avionë në aeroportin e Bejrutit.
Ushtria izraelite përshkallëzoi sulmet ndaj udhëheqësve dhe objekteve të Hezbollahut muajin e kaluar, pas kishte kufizuar për 11 muaj kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të përditshme të kësaj milicie në Izraelin verior, në mbështetje të Hamasit. Grupi terrorist palestinez, i mbështetur gjithashtu nga Irani, sulmoi në territorin e Izraelit jugor nga Gaza tetorin e kaluar, duke shkaktuar një përgjigje të ashpër izraelite.
Hezbollahu themeloi AQAH-un në vitin 1982, si një institucion bamirësie që ofron hua pa interes për libanezët në nevojë, kryesisht shiitë, sipas Qendrës së Izraelit për Informacionin e Zbulimit dhe Terrorizmin (ITIC), një grup kërkimor joqeveritar i përbërë nga veteranë të komunitetit izraelit të zbulimit.
ITIC-ja thotë se AQAH-u që atëherë është rritur në një institucion të madh, me degë në bastionin e organizatës Hezbollah në Bejrutin jugor, në Dahiyeh dhe në pjesë të tjera të Libanit që dominohen nga Hezbollahu.
Departamenti amerikan i Thesarit i vendosi sanksione AQAH-ut në vitin 2007. Në një njoftim të vitit 2021 për sanksione të mëtejshme ndaj punonjësve të AQAH-ut, Departamenti i Thesarit thotë se ky institucion kishte mbledhur rreth gjysmë miliardë dollarë.
AQAH-u u godit rëndë nga sulmet ajrore fillestare të Izraelit ndaj objektivave të Hezbollahut në Dahiyeh në fund të shtatorit, sipas MTV Lebanon, një nga rrjetet kryesore televizive të vendit.
Në një njoftim në gjuhën arabe më 30 shtator, kanali MTV Lebanon tha se sulmet ajrore izraelite kishin goditur “qendrat e ruajtjes së parave të gatshme” të Hezbollahut, përfshirë një pjesë të madhe të kasafortave të AQAH-ut, duke e zhytur këtë organizatë në një “krizë financiare”.
Hilal Khashan, profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Bejrutit, tha në një intervistë nëpërmjet telefonit të mërkurën se Izraeli “shkatërroi” shumicën e degëve të AQAH-ut gjatë sulmeve ajrore. “Hezbollahu po përballet me një problem shumë serioz financiar. Ata nuk janë në gjendje të paguajnë anëtarët që kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë nevojë të ushqejnë familjet e tyre”, tha profesor Khashan.
Një njoftim i vitit 2021 i Departamentit të Thesarit për sanksionet ndaj gjashtë punonjësve të AQAH-ut thotë se ata kishin përdorur llogari personale në bankat e liçencuara libaneze, për të transferuar më shumë se 500 milionë dollarë për AQAH-un gjatë dekadës së kaluar. Ai tha se ky aktivitet i dha AQAH-ut qasje në sistemin financiar ndërkombëtar nëpërmjet llogarive personale të punonjësve në bankat libaneze.
David Asher, një ish-zyrtar i Departamenteve amerikane të Mbrojtjes dhe të Shtetit, që ka punuar për goditjen e rrjeteve globale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave të Hezbollahut, tha në një intervistë të mërkurën se organizata është në “vështirësi të madhe”, sepse po humbet gjithashtu qasjen në sistemin bankar libanez.
“Po dëgjoj nga bankierët libanezë, përfshirë financierët e Hezbollahut, se bankierët më të pasur të Libanit që e kanë mundësinë të ikin me avion, kanë ikur për në Evropë dhe në Gjirin Persik, nga frika se mund të vendosen në shënjestër më pas nga Izraeli për shkak se kanë ndihmuar Hezbollahun”, tha zoti Asher, tashmë studiues në Institutin Hudson me seli në Uashington. Zoti Asher tha se ai është në kontakt me burime në Liban, të rekrutuar gjatë viteve nga Shtetet e Bashkuara për të marrë informacion rreth Hezbollahut.
“Këta bankierë libanezë, shumica prej tyre miliarderë, shohin se era po fryn kundër Hezbollahut, kështu që ata nuk do ta lejojnë atë të marrë miliona dollarë nga bankat e tyre, të cilat ende kanë para të gatshme pavarësisht se janë të falimentuara në letër”, tha zoti Asher. “Ata e dinë se nëse e bëjnë këtë, Izraeli ndoshta do t’i eliminojë edhe ata”.
Një tjetër burim financimi i Hezbollahut që ka shteruar, sipas zotit Asher dhe zotit Khashan, është dërgimi i parave të gatshme me aeroplanët që fluturojnë për në aeroportin e Bejrutit, veçanërisht nga Irani, mbështetësi kryesor i këtij grupi.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari u tha gazetarëve më 27 shtator se avionët luftarakë izraelitë kishin filluar patrullimin e hapësirës ajrore të aeroportit të Bejrutit dhe nuk do të lejonin fluturimet që mbartnin armë të ulen në një objekt civil. Ai nuk përmendi çështjen e transportit të parave të thata në bordin e atyre që Izraeli i konsideron si avionë të armikut.
Të nesërmen, Ministria e Transportit e Libanit u tha mediave libaneze dhe perëndimore se urdhëroi një avion iranian me destinacion Bejrutin, të largohej nga hapësira ajrore libaneze. Ministria ia atribuoi lëvizjen një paralajmërimi izraelit ndaj kullës së kontrollit të trafikut ajror të Bejrutit se Izraeli do të përdorte forcën, nëse avioni do të ulej atje.
“Kam dëgjuar nga homologët e mi izraelitë se iranianët kanë frikë të dërgojnë para në Liban pikërisht tani, sepse Izraeli po kërcënon të godasë avionët që udhëtojnë drejt Bejrutit. Izraelitët po paralajmërojnë se do të godasin edhe fluturime që transportojnë para, jo vetëm ato me armë”, tha zoti Asher.
Profesor Khashan tha se Irani organizonte fluturime të rregullta nga Teherani për në Bejrut, për të futur kontrabandë para për Hezbollahun, pa kaluar nëpërmjet departamentit të doganave të qeverisë libaneze. “Në javët që kur Izraeli përshkallëzoi sulmet e tij në periferitë jugore të Bejrutit, qeveria libaneze ka kërkuar më shumë kontroll mbi aeroportin dhe tani nuk ka asnjë fluks parash për Hezbollahun”, tha ai.
Ministri libanez i Punëve Publike dhe Transportit Ali Hamieh i tha agjencisë së lajmeve Agence France-Presse të martën se aeroporti i Bejrutit “u nënshtrohet ligjeve libaneze dhe inspektimit të departamenteve të ndryshme përkatëse dhe agjencive të sigurisë”. Zoti Hamieh shtoi se për një aeroplan që transporton armë duhet të jepet miratimi nga ushtria libaneze dhe të licencohet nga ministria e tij.
Rrjeti televiziv saudit Al Arabiya në një raport të së enjtes citoi një burim të ushtrisë libaneze të thotë se ushtria dhe agjencitë e tjera të sigurisë janë “përplasur” për të vendosur kontrollin mbi aeroportin duke filluar inspektimet e ngarkesave, për t’u siguruar që përmbajtja e tyre është ajo që deklarohet.
Zoti Khashan tha se mungesa e parave të Hezbollahut nuk ka gjasa të ndalë së shpejti mijëra operativë të tij që të luftojnë forcat izraelite.
“Vazhdimi i luftës varet më shumë nga disponueshmëria e ushqimit dhe municionit”, tha ai. “Kur lufta është e motivuar nga zelli fetar, ka më shumë çështje themelore për t’u shqetësuar se sa disponueshmëria e parave të thata”.
(Zëri i Amerikës)