Uashington, 19 janar 2023 – Ndërsa pandemia e koronavirusit hyn në vitin e katërt, Shtetet e Bashkuara po përballen me një variant të ri të COVID-19, të quajtur XBB.1.5. Ndërkohë, Kina po raporton një rritje të rasteve pas vendimit për të hequr dorë nga politika e saj e eliminimit të koronavirusit, e ashtuquajtura “zero-COVID”.
Kanë kaluar tre vjet që kur koronavirusi u shfaq në Wuhan të Kinës dhe u përhap në të gjithë globin. Më vonë u shfaqën variante të reja të Covid-19.
Pavarësisht nga imuniteti i mirë i popullatës dhe niveli i lartë i vaksinimit në Shtetet e Bashkuara, varianti shumë ngjitës XBB.1.5 ka rritur vigjilencën mes studiuesve mjekësorë.
“Varianti XBB. 1.5 është pjesë e familjes më të gjërë të Omicronit, por ai po përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara. Ai tani është shkaktar i 40 për qind të infeksioneve me Covid-19 në vend”, thotë Dr. David Dowdy, epidemiolog i Universitetit Johns Hopkins.
Amerikanët janë ndeshur me një rritje të sëmundjeve gjatë muajve të dimrit. Gripi, sëmundjet e frymëmarrjes dhe koronavirusi kanë rënduar sistemet spitalore të vendit.
Ekspertët mendojnë se gripi dhe infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes tashmë kanë arritur kulmin dhe variantet e tanishme të koronavirusit janë më të buta se ato të mëparshmet. Por ata paralajmërojnë se njerëzit dhe sistemet e kujdesit shëndetësor duhet të jenë vigjilentë.
“COVID-19 do të vazhdojë të jetë i pranishëm. Sistemet e kujdesit shëndetësor duhet të jenë më të qëndrueshme, duhet të trajtojnë sfidat e personelit në infermieri dhe fusha të tjera. Njerëzit duhet të marrin vaksinat e gripit dhe ato të koronavirusit. Ata që janë në rrezik më të madh, kur ka rritje të madhe të rasteve, duhet të konsiderojnë përdorimin e maskës në mjediset e mbyllura. Pra, kjo është normalja e re”, thotë Dr. Tom Frieden nga organizata “Resolve to Save Lives”.
Megjithatë, në Kinë është një situatë tjetër. Qeveria kineze sapo ka filluar të raportojë shifra të larta të vdekjeve nga COVID-19 pas zbutjes së politikës së saj “zero-Covid”, në bazë të së cilës Pekini vendosi kufizime të mëdha ndaj lëvizjes së njerëzve.
“Kemi të bëjmë me një popullsi që kryesisht nuk ka qenë e ekspozuar ndaj COVID-it më parë dhe për këtë arsye shumë pak njerëz kanë imunitet ndaj infeksionit, nuk janë vaksinuar, ose kanë marrë një vaksinë që nuk është shumë e efektshme. Tani ata lejohen të lëvizin pa kufizimet që kanë patur këto dy vitet e fundit dhe ky kombinim faktorësh e ka rënduar situatën atje”, thotë Dr. Robert Wachter nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko.
Politikat e zbutura të Kinës tani janë më të ngjashme me ato të zbatuara në pjesën tjetër të botës, ku mbizotëron pikëpamja se COVID-19 do të duhet të menaxhohet si sëmundjet e tjera sezonale.
(Zëri i Amerikës)