Tiranë, 13 dhjetor 2022 – “Pastrimi i parave të botës së krimit vazhdon në Shqipëri me ritme të konsiderueshme për shkak të tolerimit nga politika”. – Kështu pohuan sot në Tiranë ekspertë të ekonomisë dhe legjislacionit gjatë konferencës “Parandalimi i Pastrimit të Parave në Shqipëri”.
Ata theksuan se mungesa e vullnetit politik po pengon përpjekjet në parandalimin e pastrimit të parave.
Shqipëria është prej më shumë se dy vjetësh në listën gri të monitorimit ndërkombëtar sa i takon pastrimit të parave, dhe ky, sipas ekspertëve, është një sinjal mjaft shqetësues dhe një sfidë e vërtetë si në periudhë afatshkurtër edhe afatmesme.
Në parandalimin e pastrimit të parave kanë rol shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, thotë Gjergj Vurmo i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, organizator i konferencës, por përgjegjësia kryesore për ndëshkimin e autorëve bie mbi institucionet shtetërore, por përkundër tyre, vërehet tolerimi i kësaj dukurie prej politikës.
“Nevojitet që zbatimi i ligjeve të jetë korrekt, i drejtë sipas frymës së ligjit, dhe pa ndërhyrje politike cilatdo qofshin. Politika e toleron këtë dukuri, madje ka raste që edhe e frymëzon, praktika këto që duhet të marrin fund”, thotë zoti Vurmo.
Drejtuesja e Qendrës Studimore Open Data Albania, Aranita Brahaj, thotë se paratë e aferave kriminale, para nga trafiku i narkotikëve dhe korrupsionit ende arrijnë të penetrojnë në Shqipëri për shkak të hapësirave ligjore të parregulluara.
Sipas saj, ligji kërkon një regjistrim formal të pronarit përfundimtar, por nuk ka mundësi të vërtetojë integritetin e pronarëve të vërtetë, kur ato janë kompani guaskë dhe mund të përfitojnë kontrata publike, siç ka ndodhur në disa raste.
Për më tepër, theksoi ajo, shumica socialiste ka gati projektin e radhës për amnisti fiskale pa rregulla të qarta bankare mbi burimin e parave, e cila ka rrezik të madh për ekonominë, klimën e biznesit dhe shtetin shqiptar.
“Vet drafti i amnistisë fiskale, nëse fillon realizohet dhe konkretizohet, ka një terminoli, një element dhe një faktor me shumë risk. Ai quhet personi që fiton statusin e rezidentit fiskal, që është një shtetas i huaj, i cili ka marrë përsipër të bëjë një lloj regjistrimi ekonomik në vendin tonë. Në çastin që mund të hyjë në fuqi amnistia fiskale, ky rezident i huaj tatimor në vendin tonë fiton të drejta shumë të mëdha edhe për të legalizuar pasurinë e tij, dhe pas pasurisë, pse jo edhe të drejta të tjera, që kanë të bëjnë me passportën dhe shtetësinë”, thotë zonja Brahaj.
Ekspertët e ekonomisë mendojnë se tashmë është rritur presioni i parave të pista mbi Shqipërinë, prandaj kritere tolerante dhe projekte të pasigurta si amnistia fiskale dhe ai për passportat e arta, forcuan bindjen se këtu mund të sillen para nga burime të dyshimta, dhe mund të legalizohen fare lehtë, duke sjellë rreziqe për ekonominë dhe klimën e biznesit.
Drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se nga pikëpamja ligjore ka një përmirësim të masave formale, por ende mungojnë akte nënligjore për zbatimin faktik të tyre, gjë që flet për mungesën e vullnetit politik për të frenuar pastrimin e parave në Shqipëri.
“Është një pikëpyetje shumë e madhe çështja e vullnetit politik. Fakti që ka një zgjerim, intensifikim dhe sofistikim të korrupsionit si dhe të dukurisë së pastrimit të parave, ngrihen pikëpyetje të mëdha nëse ky vullnet politik ekziston në të gjithë segmentet e shtetit”, thotë zoti Preçi.
Studiuesit mendojnë se ligjet ekzistuese të përmirësuara sipas kërkesave të BE-së duhen zbatuar me përpikmëri, ndryshime ligjore duhet të mbyllin shtigjet, që ende mundësojnë pastrimin e parave, sidomos në sektorët e ndërtimeve dhe tregtisë.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)