Uashington, 13 prill 2023 – Ndërsa lufta vazhdon në Ukrainë, zyrtarët e lartë amerikanë po kërkojnë të minimizojnë dëmin e shkaktuar nga shfaqja e dokumenteve ushtarake mbi luftën, të klasifikuara si tepër sekrete. Dokumentet përfshijnë tabela me të dhëna që tregojnë pozicionet ushtarake ukrainase dhe vlerësimet amerikane për mbështetjen e aleatëve të saj për Kievin.
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha gazetarëve të martën se aktualisht askush nuk e di me siguri nga kanë rrjedhur këto dokumente.
“Po e shqyrtojmë me shumë seriozisht dhe do të vazhdojmë të hetojmë dhe nuk do të lëmë gjë pa gërmuar, derisa të gjejmë burimin dhe shtrirjen e tij”.
I pyetur nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy duhet të ndryshojë planet e tij për një kundërofensivë të pritshme pranverore kundër Rusisë, zoti Austin u përgjigj.
“Ata do të luftojnë armikun dhe nuk do të udhëhiqen nga një plan specifik. Kanë një plan të mire për të filluar, por vetëm presidenti Zelenskyy dhe udhëheqësit e tjerë të vendit i dinë realisht, detajet e plota të atij plani”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u pyet për dëmin që rrjedhjet mund të shkaktojnë në besimin e aleatëve të SHBA-së për të shkëmbyer informacione zbulimi në të ardhmen.
“Ne jemi angazhuar me aleatët dhe partnerët në nivele të larta gjatë ditëve të fundit për këto dokumente, për t’i siguruar ata për angazhimin tonë për të mbrojtur inteligjencën dhe natyrisht, angazhimin ndaj partneriteteve tona të sigurisë”.
Një nga rrjedhjet më të dëmshme ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara dhe aleaten e saj, Korenë e Jugut.
“Një nga rrjedhjet ishte se SHBA me sa duket po dëgjonin bisedat brenda qeverisë së Koresë së Jugut, duke u përpjekur të kuptonin nëse Koreja e Jugut do të pranonte përfundimisht të na shesë municion që mund t’ia jepnim drejtpërdrejt Ukrainës ose mund ta përdornim për të zëvendësuar atë që i dhamë Ukrainës. Vetëm në atë rast, besoj se ishim ne që dëgjonim qeverinë e Koresë së Jugut duke u përpjekur të kuptonim se çfarë po mendonin”, thotë Ben Hodges, ish komandant i ushtrisë amerikane në Evropë.
Një tjetër ekspert i tha Zërit të Amerikës se rrjedhja e informacionit nuk është aq e dëmshme sa në të kaluarën, por ka një aspekt për të cilin ai është i shqetësuar.
“I vetmi rrezik që do të përmendja është përdorimi i kësaj inteligjence për operacione informimi apo edhe dezinformimi. Pra, ne kemi parë tashmë shembuj të materialeve të caktuara në PowerPoint me numra dhe shifra të caktuar dhe më pas kemi parë materiale të ngjashme, me numra të ndryshuar për t’iu përshtatur një narrative të caktuar. Pra, do të këtë pikëpyetje të madhe në lidhje me vërtetësinë, jo të rrjedhjes fillestare, por të të gjitha dokumenteve që do të qarkullojnë”, thotë Luke Coffey me Institutin Hudson.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka akuzuar Rusinë se qëndron pas rrjedhjes së informacionit. Ekspertët e inteligjencës thonë se dokumenti i zbuluar me numrat e viktimave u ndryshua për të ulur numrin e ushtarëve rusë të vrarë me më shumë se gjysmën, përpara se të shfaqej në kanalet pro-ruse Telegram. Një zëdhënës i Kremlinit tha se Moska ishte e mirinformuar se Shtetet e Bashkuara dhe NATO ishin të përfshira në “konfliktin” midis Rusisë dhe Ukrainës përpara se të dilnin informacionet në sipërfaqe.
(Zëri i Amerikës)