Ekspertja: Mbretëria e Bashkuar duhet të garantojë dinjitetin e shqiptarëve që kthehen

Tiranë, 11 prill 2024 – Të kthyerit shqiptarë nga Britania e Madhe përballen me “sfida të dukshme gjatë gjithë procesit” të kthimit, pasi janë dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar, “pavarësisht vullnetit të tyre për t’u kthyer”, tha për BIRN Edlira Gjoni, një eksperte komunikimi në Tiranë.

“Duke marrë parasysh që këta njerëz nuk janë të ndaluar, por kanë dalë vullnetarë të kthehen, duhet të kishte pasur edhe më shumë arsye për të garantuar të drejtat e tyre për dinjitet, siguri dhe trajtim të respektueshëm. Dhe së fundi, pasiguritë rreth orareve të nisjes dhe mbërritjes janë të papranueshme, pasi shtojnë shqetësimet dhe dyshimet ose të kthyerit dhe mund të humbin aftësinë e tyre për të qëndruar të qetë dhe funksionalë për një periudhë kohe”, tha Gjoni për BIRN.

Ajo iu referua një raporti të Kryeinspektorit të Burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar, “Të ndaluarit nën shoqërim: Inspektim i shoqërimit dhe largimeve në Shqipëri”, botuar në dhjetor 2023, i cili evidentonte problemet me të cilat janë përballur emigrantët e parregullt nga Shqipëria gjatë largimit të tyre nga Mbretëria e Bashkuar.

“Një largimi përfshinte 73 të burgosur shqiptarë që u dërguan nga London Stansted në Tiranë, shumica prej tyre vullnetarisht. Inspektorët zbuluan se shumë prej tyre pritën në paraburgim për disa javë, pavarësisht se ishin të gatshëm të ktheheshin, dhe ndarja e informacionit në lidhje me cenueshmërinë nuk ishte mjaftueshëm e mirë”, vuri në dukje raporti.

“Megjithatë, operacioni në përgjithësi u organizua mirë dhe përmirësimet në praktikat operative që ne kishim vërejtur në inspektimet e mëparshme, me një numër të vogël përjashtimesh, ishin mbajtur”, shtoi ai.

Gjoni tha se një shqetësim tjetër ishte “ndikimi që kjo mund të ketë te shqiptarët e tjerë që mund të dëshirojnë të kthehen vullnetarisht”.

“Emigrantët do të ndajnë përvojën e tyre dhe fjala përhapet shpejt. Dëgjimi për realitetet jo shumë dinjitoze të kthimit vullnetar nga ata që e kanë përjetuar vetë mund të ndikojë në vendimmarrjen e shqiptarëve të tjerë që mendojnë të kthehen”, tha ajo për BIRN.

Çështja e emigrimit të parregullt të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe u bë më e dukshme gjatë verës së vitit 2022, ku emigrantët filluan të përdorin varka të vogla për të mbërritur në vend. Që atëherë, qeveria shqiptare dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar kanë nënshkruar një marrëveshje për kthimin e tyre të shpejtë në Shqipëri.

Sipas Observatorit të Migracionit në Universitetin e Oksfordit, rreth 16,000 shqiptarë aplikuan për azil në Britani në vitin 2022; rreth 12,000 prej tyre mbërritën me varka të vogla.

Autoritetet britanike thonë se marrëveshja e arritur midis kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak dhe atij të Shqipërisë Edi Rama në fund të vitit 2022 e ka ulur fluksin me 90 për qind.

Policia shqiptare nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për numrin total të shqiptarëve që janë kthyer nga Britania e Madhe sipas marrëveshjes ndërqeveritare.

(Reporter.al)