Tiranë, 30 tetor 2024 – Një ekspozitë në Tiranë e titulluar “Letra nga ferri“, organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ekspozon letra nga të burgosurit politikë të burgosur nën qeverinë komuniste, duke nxjerrë në pah kushtet e zymta të burgjeve dhe përvojat e tyre personale në to.
Letrat përmbajnë ankesa, informacione për kushtet në kampe dhe burgje, korrespondencë në mbështetje të pretendimeve për keqtrajtim në burg, informacione të prokurorisë për burgjet, ankesa për dënime të padrejta dhe letra dërguar të afërmve.
Përgjigjet nga autoritetet e asaj kohe ishin të rralla dhe zakonisht kufizoheshin në “verifikime” të ankesave. Ndonjëherë të burgosurit merrnin dënime shtesë se guxonin të ankoheshin.
Violeta Murati, kuratore, tha për BIRN se “ekspozita përmban letra autentike të ish të burgosurve politikë që vuajtën në kampe dhe burgje nën regjimin diktatorial”.
Në letra, autorët e tyre shprehin shpresën dhe dëshpërimin se diçka do të ndryshonte, gjë që ndodhte rrallë, sepse të burgosurit politikë konsideroheshin “armiq të popullit”.
“Nëse këto letra zbulonin ‘gjëra të papërshtatshme kundër regjimit, ata do të ri-dënoheshin”, shtoi Murati.
Shpesh letrat denonconin kushtet e rënda në burg.
“Por në thelb, këto letra ishin letra politike dhe si të tilla nuk do të konsideroheshin nga regjimi si një arsye për të reflektuar”, vuri në dukje Murati.
Instituti ka një koleksion prej 2,000-3,000 letrash të tilla dhe zgjodhi “letra përfaqësuese” për ekspozitën.
“Letrat janë të viteve 1970 nga burgjet e Spaçit dhe Burrelit. Këto ishin burgjet më famëkeqe në Shqipëri”, kujton kuratorja.
Në një nga letrat, i burgosuri Robert Bishqemi shkruan: “Vendi ku jetojmë është si një ferr për njerëzit, shumë pis, sepse ujë të pijshëm kemi vetëm një herë në 2-3 ditë dhe vjen me acid. Për shkak të kësaj, shumë nga të burgosurit janë të sëmurë me ulcerë.”
“Unë personalisht shkova në punë i sëmurë me temperaturë 38 gradë, anemik dhe i dobët. Aktualisht peshoj 40 kilogramë. Roja që quhet Xhetan Cara së bashku me brigadierin më rrethuan në galeri dhe më rrahën në mënyrë shtazarake për rreth 30 minuta derisa më ra të fikët”, shtoi ai.
Një letër tjetër, nga Ramiz Hyseni, thotë: “Më vjen të vras veten kur shoh këto mizori që po kryhen kundër njerëzve në mënyrën më të urryeshme dhe më të neveritshme.”
“Burgjet tuaja nuk janë të përshtatshme për Mesjetën, e jo më për tani në shekullin e 20-të, që është shekulli i ‘arsyes njerëzore’, shekulli i ‘humanizmit dhe qytetërimit botëror’”, ankohet në një letër tjetër.