Ekspozita “Rezistenca e padhunshme e Kosovës 1989 -1999”

Periudha e rezistencës paqësore dhe shtetndërtimit në Kosovë prezantohet përmes fotografive dhe dokumenteve të ndryshme në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë Dr.Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Në këtë muze qëndron e hapur ekspozita “Rezistenca e padhunshme e Kosovës 1989-1999″, e autorit Shkumbin Brestovci.

Në ndërtesën e këtij muzeu, ku ishte selia e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugova, janë ekspozuar fotografi,artefakte dhe dokumente të ndryshme që i pasqyrojnë ngjarjet nëpër tëcilat ka kaluar Kosova në periudhën 1989 – 1999.

Autori Brestovci thotë se në këtë ekspozitë të përhershme tregohen format rezistencës paqësore dhe organizimi i jetës, si: arsimi, shëndetësia, mbështetja sociale e të tjera, si edhe format e ndryshme të represionit dhe krimet e forcave serbe në Kosovë.

Në këtë ekspozitë janë ekspozuar edhe fotografi të ngjarjeve, veprimtarive dhe proceseve politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, deri në përfundimin e luftës në Kosovë, si Referendumi për Pavarësinë e Kosovës, Zgjedhjet e para të lira e demokratike në Kosovë, organizimi dhe funksionimi i institucioneve që funksiononin paralelisht me institucionet e instaluara me dhunë nga Serbia.

Po kështu, janë prezantuar fotografi, dokumente e materiale të formave të ndryshme të rezistencës dhe protestës ndaj veprimeve të shtetit serb kundër shqiptarëve, si: grevave, protestave, demostratave, etj.

Në këtë këtë ekspozitë janë përfshirë edhe fotografi, dokumente dhe materiale që e dokumentojnë politikën shtetërore të Serbisë për pastrimin etnik të Kosovës dhe përmasat e shkatërrimit të Kosovës nga forcat  militare e paramilitare serbe.

“Është një tregim i asaj çka ka ndodhur në këtë periudhë. Natyrisht, ia kam shtuar edhe disa elemente të tjera, duke pasur parasysh se aty vijnë edhe njerëz të huaj që nuk e kanë të njohur tablonë e plotë të Kosovës së dekadës së fundit të shekullit të kaluar”, thotë autori i ekspozitës, Shkumbin Brestovci.

Ai thotë se me këtë ekspozitë ka dashur të tregojë sfondin historik të gjithë asaj që kandodhur në Kosovë në atë periudhë.

“Muzeu i dedikohet asaj periudhe kohore. Ka qenë pikërisht dedikimi i presidentit Ibrahim Rugova dhe i institucioneve kulturore që ai muze t’i dedikohet asaj periudhe”, thotë ai.

Vend të veçantë në ekspozitë zënë vizitat e diplomatëve të vendeve me ndikim në politikën ndërkombëtare, sidomos atyre të botës demokratike,  drejtuesve e përfaqësuesve të organizatave dhe asociacioneve të ndryshme ndërkombëtare. 

Brestovci ka thënë se ekspozita dëshmon përpjekjet e mëdha për afirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës, që shprehej në togfjalëshin tashmë të njohur “Liri, Pavarësi,  Demokraci”.

“Ka pasur një mosnjohje dhe një shpërfillje të çështjes së Kosovës nga faktori ndërkombëtar bashkësia ndërkombëtare në fillimet e rezistencës së popullit të Kosovës ndaj okupimit serb. Por, rezistenca paqesore e popullit të Kosovës ka fituar simpati të gjerë dhe e ka ndërruar opinion e botës demokratike”, thotë Brestovci.

Radio Evropa e Lirë ka publikuar fotografi nga ekspozita “Rezistenca e padhunshme e Kosovës 1989-1999″ në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë Dr.Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

 

(r.m.)

One Response to “Ekspozita “Rezistenca e padhunshme e Kosovës 1989 -1999””

Read below or add a comment...

  1. Begu says:

    Nese themi dhjetevjeteshi 1989-99 ishte i politikes paqesore te padhunshem,atehere si mund te themi se, Presidenti Ibrahim Rugova ishte komandanti suprem i UCK,ose te themi UCK-ja i raportontePresidentit Ibrahim Rugoves.Ketu dic nuk eshte mire e as e vertet dhe drejte e thene.