Ngjarje kulturore. Art i bukur, ku modernia marramendëse bashkohet me klasiken gjithë hijeshi panteonike dhe me shqetësimet e ditës, konkretisht të kohës si me një ironi gazetash dhe me trishtimin për njeriun, që i ngjan peshkut, trishtimi dua të them…
Mbase kjo është est-etika (kupto: estetika) e ekspozitës më të re e piktorit tonë, me njohje ndërkombëtare, Valeri Tarasov, që vazhdon të jetë e hapur buzët detit Adriatik në qytetin e Barit në Itali, në “Palazzo of the Regional Council of Apulia… Via Gentile 52…
FISH TIME titullohet ekspozita. Koha e peshkut/ e peshqve… Ajo vetmi si në ujëra, shoqëria likuide sipas Zigmund Baumer, fati i kapur si në rrjetë, gazeta, gazeta ku ke mbështjellur peshqit e sapoblerë… se mos ke shitur veren?
Është një ngjarje kulturore kjo ekspozitë, – bën me dije gazetarja Milena Selimi, që shkoi të jetë e pranishme në çeljen e ekspozitës, që vizitohet me shumë ëndje dhe do të jetë e hapur deri në fund të marsit.
“Simbolet e ‘Peshkut’ dhe të ‘Gazetave të përditshme’ bëhen për artistin Valeri Tarasov një pretekst, një mjet komunikimi për të aktivizuar sensin kritik tek ai dhe tek ne” – shkruan kritiku i artit dhe galeristi Pino Bonanno.
“I gjithë angazhimi dhe rruga e artistit ka qenë gjithmonë e orientuar që reflektimi dhe veprimi racional i mendimit të mbizotërojë përballë ngjarjeve të përditshme historike, në të cilat jemi përfshirë, pavarësisht interesave tona spekulative” – thekson kritiku.
“Ekspozita ‘Fish Time’ nuk është diktuar vetëm nga dëshira për të kapur imagjinatën tonë. Dhe kjo referencë emblematike është aq e fortë sa përdoret në gazetat e përditshme – kombëtare dhe ndërkombëtare – pikërisht për të nënvizuar se informacioni merr pjesë aktive në përditshmërinë tonë, aq sa shpesh e kushtëzon me disinformimin, ose, siç thuhet shpesh sot, “duke krijuar lajme të rreme”, – përfundon Pino Bonanno.
Por arti është i vërtetë. Zgjidhje në vetvete, i ndjesive, është emocioni që na duhet, sfida dhe ndaj streseve dhe traumave, madje dhe ndaj luftës, vendstrehimi, ndërkohë dhe shpëtim që se si futet ndër ne, me ato mënyrat e veta në jetë, të gjithkushi, edhe pa e kuptuar dhe bëhet dhe vetë jetë.
Arti jetë.
Jetë arti…
Kështu është piktori Valeri Tarasov, që triumfoi mbi të kaluarën, mbylljen dhe burgjet, atdheu i tij është arti, ku s’ka asgjë nga fati i tij dhe është i tëri ai, i universalizuar aq bukur, me aq elegancë, që qetëson me art kaosin, edhe kur gazeta na e mbulon fytyrën, na tregon ‘natyren e qetë’ me peshq të pafajsisë… dhe ngjyrat e britmës së heshtur i çon në Olimpin e tij dhe diçka qiellore si fllad vjen dhe e freskon shpirtin, por dhe botën…
Visar Zhiti














