Nga ZQK Interpol Tirana, falë bashkëpunimit me autoritetet ligjzbatuese gjermane, u krye ekstradimi nga Gjermania drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar S. C., 25 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të vendimit të datës 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Vlorë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Më datë 10.05.2019, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, nga një automjet në lëvizje është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një grupi personash që ishin ulur në një nga tavolinat e vendosura në pjesën e jashtme të një lokali në këtë lagje. Më pas, autorët janë larguar dhe kanë djegur automjetin në fshatin Babicë e Vogël.
Nga hetimet e kryera dhe nga bisedat telefonike ka rezultuar se një nga bashkëpunëtorët e grupit të përfshirë në këtë ngjarje ka qenë S. C.