“Autoritetet meksikane zbuluan se karteli Sinaloa është aktualisht në mes të një menaxhimi të rëndësishëm financiar me mafiozët shqiptarë”, shkruan “El Universal”.
Karteli “Sinaloa” që konsiderohet si organizata më e madhe dhe më e fuqishme e trafikut të drogës në hemisferën perëndimore, tashmë i ka shtrirë tentakulat e saj edhe në Ballkan, në kontinentin e Evropës.
Raportet e inteligjencës të qeverisë federale të Meksikës zbuluan se Ismael Mayo Zambada, i njohur si “El Mayo”, i cili është ndoshta lideri kryesor i kartelit “Sinaloa”, së fundmi ka lidhur aleancë me mafian shqiptare, veçanërisht me vëllezërit: Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa.
Plani i përbashkët i dy organizatave kriminale, të ndara fizikisht me më shumë se 10.600 kilometra, është pastrimi i miliona dollarëve të përfituar nga biznesi i paligjshëm, përmes pasurive të paluajtshme dhe investimeve në sektorin e turizmit në gadishullin e Ballkanit.
Mungesa e kontrollit të pastrimit të parave nga autoritetet shqiptare ka qenë faktori kryesor që e ka tërhequr mikun e “Chapos”, Guzmanin, në këtë vend euro-lindor.
Katër vëllezërit nga Shqipëria me të cilët “El Mayo” ka rënë dakord të menaxhojnë një rrjet kazinosh dhe biznesesh në Sonora, Baja California dhe Quintana Roo, përmes të cilave pastrojnë miliona euro të përfituara nga krimi i organizuar, thuhet në raportin e inteligjencës meksikane, të cilit i referohet “El Universal”.
Autoritetet meksikane zbuluan se Karteli “Sinaloa” aktualisht është duke kryer një operacion të rëndësishëm financiar me mafiozët shqiptarë. Bëhet fjalë për disa transferta miliona dollarëshe përmes kompanive fiktive me bazë në vendin evropian.
Ndërmjet viteve 2018 dhe 2020, 266 nga të arrestuarit për trafik kokaine në Evropë kishin shtetësi shqiptare, të ndjekur nga brazilianët (257) dhe kolumbianët (168). Vendi tjetër evropian që u gjet në këtë listë ishte Holanda, në vendin e tetë, me vetëm 51 shtetas të ndaluar.
Raporti ka gjurmuar praninë e grupeve mafioze shqiptare në Evropë dhe në Amerikën Latine. Europol e ka identifikuar një theks të pazakontë midis grupeve shqiptare që merren me trafikun e drogës, krahasuar me grupet tjera kriminale, shpjegon organizata e specializuar Insight Crime.
94 për qind e grupeve kriminale shqiptare të profilizuara në vitin 2019 kishin aktivitet kryesor trafikun e drogës, krahasuar me 38 për qind të aktorëve kriminalë gjermanë dhe 30 për qind të bandave turke.
Me profilizimin e operacioneve të ndryshme kriminale, Europol dhe UNODC zbuluan se trafikantët shqiptarë ishin ndërmjetësit kryesorë të kokainës në portet e Antwerpenit në Belgjikë dhe Roterdamit në Holandë, ku kontrollojnë pjesën më të madhe të tregut të kokainës në Mretërinë e Bashkuar, bashkëpunojnë me “Ndranghetan” në Itali dhe luajnë një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e kokainës në tregje të tjera të mëdha evropiane, përfshirë Gjermaninë, Belgjikën, Austrinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Zvicrën.
Ky ndikim i jashtëzakonshëm i atribuohet kryesisht aftësisë së trafikantëve shqiptarë për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta në Amerikën Latine. Sipas raporteve të sigurisë, prej vitit 2012 bota shqiptare e krimit e ka forcuar ndikimin e saj në Kolumbi, Venezuelë, Brazil dhe Ekuador, për të siguruar furnizime të vazhdueshme me kokainë, tashmë edhe në vendet e Aztekut.
(Marrë nga infobae.com)