Elbert Krasniqi: Nuk mund të them kur mund të hapet Ura e Ibrit

Prishtinë, 14 gusht 2024 – Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se ai nuk mund të thotë se kur do të mund të hapet Ura e Ibrit në Mitrovicë.

“…kjo sigurisht është një çështje të cilën nuk mund ta them. Këtu nujk mund të them një datë se kur mund të hapet apo kur do të hapet ura, për shkak se është absurde”, ka thënë Krasniqi të mӕrkurën, në konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.

Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e shefit të tij, kryeministrit Albin Kurti, lidhur me ëështjen e hapjes së urës. Ai ka thënë se qeveria do të vazhdojë konsultimet dhe koordinimin e veprimeve me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. 

“Po i vazhdojmë koordinimet dhe konsultimet me partnerët, përfshirë KFOR-in, që gjithçka të shkojë mirë e të mos ketë asnjë incident e lëre më më shumë”, ka thënë Krasniqi të mërkurën, në konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.

Krasniqi ka thënë se përmes hapjes së Urës së Ibrit do të përmbushej obligimi nga marrëveshja e Brukselit dhe ka theksuar se nuk ka arsye që ura të mos hapet për qarkullim të automjeteve.

“Nga viti 2018 deri më 2021 në raportet e BE-së thuhet se ura është gati e duhet të hapet për qarkullim të plotë, të pavonesë dhe pa pengesa. Duke qenë sponsorizuese e marrëveshjes dhe planit të zbatimit për hapjen e urës, BE-ja duhet të tregojë çfarë ka ndryshuar nga viti 2023?” ka thënë Krasniqi.

“Ne besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit janë mbi të gjitha e do të ketë koordinim për secilin veprim të ndërmarrë”, ka theksuar ai.

Partnerët ndërkombëtarë kanë kritikuar Kosovën duke e cilësuar planin për hapjen e urës mbi Ibër si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.

(r.m.)