Beograd, 4 nëntor 2022 – Marrëveshja e parë e Brukselit, të cilën Kosova dhe Serbia e arritën në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, hapi rrugën për integrimin e serbëve nga veriu në struktura të rëndësishme të Kosovës, si Policia dhe Gjyqësori.
Edhe pse në ato marrëveshje ka disa “privilegje” për serbët që jetojnë në komunat në veri, thuhet qartë se ato do të funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Kjo është arsyeja pse në terren, pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara që përcaktojnë çështje të ndryshme, shpesh ka mosmarrëveshje ndërmjet dy palëve ose interpretime të ndryshme.
Tensionet e fundit janë ngritur për shkak të targave të automjeteve me simbole të qyteteve si KM(Mitrovicë e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.
Radio Evropa e Lirë ka hedhur një vështrim se sa “elemente që lidhen me statusin e shtetit të pavarur” kishte gjatë zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme të Brukselit.
Mbajtja e zgjedhjeve të para lokale në veri sipas ligjeve të Kosovës
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, zgjedhjet e para lokale sipas ligjeve të Kosovës u mbajtën në katër komuna në veri.
Ky ishte hapi i parë i themelimit të institucioneve të Kosovës në veri, ku deri atëherë në kuadër të Qeverisë së Kosovës funksiononte vetëm Zyra Administrative për Mitrovicën e Veriut.
Shpërbërja e Mbrojtjes Civile dhe integrimi në Policinë e Kosovës
Në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, Serbia u pajtua që t’i shfuqizojë strukturat serbe të sigurisë, të ashtuquajturën Mbrojtje Civile dhe t’i integrojë anëtarët e saj në institucionet e Kosovës.
Beogradi zyrtar është pajtuar edhe për integrimin e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Policinë e Kosovës.
Pjesëtarët e komunitetit serb në Policinë e Kosovës mbajnë uniforma me stemën dhe flamurin e Kosovës.
Në anën tjetër, Kosova ka pranuar që komandanti rajonal për katër komunat në veri të jetë një serb i Kosovës i emëruar nga MPB-ja e Kosovës, me propozim të kryetarëve lokalë nga veriu.
Integrimi i Gjyqësorit
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, Serbia pranoi të bëjë integrimin e organeve gjyqësore, përkatësisht që organet në veri të funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës.
Kështu, edhe gjyqtarët nga radhët e komunitetit serb u betuan se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndrojnë besnik Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Betimi i parë i tillë është bërë në vitin 2017 para presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.
Vula doganore
Ekziston edhe një marrëveshje për vulën doganore, sipas së cilës Serbia e ka pranuar vulën me mbishkrimin “Dogana e Kosovës”.
Targat dhe marrëveshjet për lirinë e lëvizjes
Ndërkohë, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje të tjera të shumta, si për regjistrin civil, kadastrën, energjetikën dhe njohjen e diplomave.
Targat janë pjesë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes që u arrit në vitin 2011 në Bruksel.
Serbia atëbotë pranoi të ndalonte lëshimin e targave për qytetet e Kosovës si PR (Prishtinë), GL (Gnjilane) KM (Kosovska Mitrovica), domethënë pranoi të bëjë riregjistrimin e këtyre automjeteve në RKS (Republika e Kosovës), ose në ato me status neutral – KS (Kosovë).
Në zonat serbe në jug të lumit Ibër, targa të tilla janë hequr, por jo edhe në veri të Kosovës, ku sot ka rreth 9.000 automjete të regjistruara me targa KM.
Kosova nuk ka lëshuar targa me status neutral, KS, që nga shtatori i vitit 2021, bazuar në marrëveshjen e vitit 2016, kur të dyja palët u pajtuan për të zgjatur vlefshmërinë e këtyre targave edhe për pesë vjet të tjera.
Beogradi tani po kërkon që targat KS të kthehen në përdorim në vend të atyre KM, gjë që Prishtina e refuzon.
Për Kosovën targat e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës, janë të paligjshme
Çfarë përfitimesh gëzojnë pronarët e targave KM?
Bashkësia ndërkombëtare nuk e konteston të drejtën e Kosovës për heqjen e targave KM në veri të Kosovës, por kërkon që kjo të bëhet gradualisht, përkatësisht afati për riregjistrim në RKS të shtyhet edhe për dhjetë muaj.
Megjithatë, pronarët e veturave me targa KM, aktualisht mund të lëvizin vetëm në zonat e Kosovës në jug të lumit Ibër.
Në anën tjetër, lirisht mund të lëvizin në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në vendet evropiane, pra në të gjitha vendet që i njohin ato targa, përveç Kosovës.
Për shembull, dikush me targa KM mund të shkojë pa problem në Bosnje dhe Hercegovinë, por jo dikush me targa RKS, sepse ai shtet nuk e njeh Kosovën. E njëjta situatë është edhe me Spanjën.
Përfitimet financiare
Në anketat e kryera nga ekipet e REL-it në periudhën paraprake, qytetarët nga veriu në përgjithësi thonë se nuk do t’i riregjistrojnë veturat e tyre në RKS.
Dikush ka deklaruar si arsye se nuk e sheh Kosovën si vendin e tij, por Serbinë, mirëpo ka pasur edhe nga ata që kanë përmendur gjëra praktike.
Për shembull, regjistrimi vjetor në Serbi është më i lirë se në Kosovë. Për një makinë – fuqia e motorit të së cilës është 75 KW, në Serbi regjistrimi kushton rreth 18.000 dinarë, që është rreth 150 euro.
Nga ana tjetër, regjistrimi i një veture me peshë të njëjtë në Kosovë, kushton rreth 230 euro.
Ekziston i ashtuquajturi kartoni i gjelbër, të cilin pronarët e veturave me targa RKS nuk mund ta kenë, sepse Kosova nuk ka nënshkruar një marrëveshje shumëpalëshe, e cila parasheh një marrëveshje formale të një numri shtetesh për vlefshmërinë e sigurimit. Kartoni i gjelbër i sigurimit për një vit në Serbi kushton rreth 20 euro.
Kështu, ata me targa KM dhe me Karton të Gjelbër nga Serbia, mund të shkojnë pa problem në më shumë se 30 shtete evropiane.
Qytetarët e Kosovës me targa RKS duhet të bëjnë sigurim të posaçëm kur shkojnë në vendet evropiane, i cili kushton rreth 100 euro për tre muaj.
Sigurimi shtesë TPL+ për hyrjen në Maqedoninë e Veriut ose Serbi gjithashtu paguhet, i cili kushton rreth 30 euro në vit.
(Sandra Cvetkoviq, REL)