“Sot, i njoftova kolegët e mi të VOA-s se kam vendosur të dal në pension nga Zëri i Amerikës, efektivisht në 31 dhjetor 2023”, shkruan ai në një mesazh për miqtë dhe bashkëpunëtorët.
“Ka qenë nderi dhe privilegji më i lartë i jetës sime që të punoj për transmetuesin ndërkombëtar më të shquar dhe më me ndikim në botë. Do të jem përgjithmë mirënjohës VOA-s për mundësitë që më dha”, shkruan në mesazhin e tij Drejtori Ekzekutiv i “Zërit të Amerikës” .
Dr. Biberaj u bë shumë i njohur në botën shqiptare gjatë viteve të ndryshimeve që sollën rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, kur “Zëri i Amerikës” u bë burimi më i rëndësishëm i informacionit për qindramijëra shqiptarë në Shqipëri e përtej.
Ai ka shërbyer në shumë pozicione por do të mbahet mend më shumë për periudhën 1986-2004, kur shërbeu si Shef i Programit të Gjuhës Shqipe.
Drejtues për gati dy dekada i Divizionit të EuroAzisë, ai shërbeu edhe si Drejtor i Përkohshëm i “Zërit të Amerikës” në periudhën e vështirë qershor-dhjetor 2020, deri sa u kapërcye situata e konfliktit mes institucionit të njohur dhe administratës amerikane të kohës.
(Mesazhin e plotë për kolegët e VOA-s, mund ta lexoni këtu: https://www.illyria.com/mesazh-lamtumire-me-rastin-e-daljes-ne-pension/)