Prishtinë, 2 gusht 2023 – Elizabeth Katherine Gowing ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve që funksionon në kuadër të Kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Megjithatë, ajo ka thënë se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e këshilltares politike të Kurtit për Çështjet e Komuniteteve.
Në njoftimin për dorëheqje, Elizabeth Katherine Gowing ka thënë se i vjen keq që në rrethanat aktuale nuk mund ta ruajë integritetin e saj dhe të vazhdojë të punojë në Zyrën për Komunitete.
“Jam krenare që vazhdoj si Këshilltare e Kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve, me koordinimin e punës jetike për komunitetet e Kosovës, ruajtjen e Kushtetutës së Kosovës si një demokraci moderne funksionale dhe sigurimin që paratë publike shkojnë aty ku duhet. Më vjen keq që në rrethanat aktuale nuk ndjeva se mund ta ruaj integritetin dhe të vazhdoj të punoj me Zyrën për Çështje të Komuniteteve”, ka shkruar ajo në Facebook.
Elizabeth Gowing vepron në Kosovë që prej përfundimit të luftës. Ajo ka udhëhequr shumë projekte për mbështetjen e komuniteteve pakicë në Kosovë. Ajo ka punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm veçanërisht për edukimin e fëmijëve të komunitetit rom, ashkali e egjiptianë në Kosovë.
(r.m.)