Bruksel, 6 mars 2024 – Përfaqësuesi evropian, Matjazh Nemec, u emërua raportues për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që janë posedues të pasaportave nga Serbia.
Ai e konfirmoi emërimin përmes rrjeteve sociale dhe tha se pret një vendim të shpejtë për anulimin e vizave për serbët e Kosovës, që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
‼️ Odbor EP za notranje zadeve me je uradno imenoval za poročevalca za odpravo vizumov za kosovske Srbe, ki so imetniki posebnih potnih listov, in so še edini na Zahodnem Balkanu, ki za potovanje v EU potrebujejo vizum. Upam na hitro sprejetje!
— Matjaž Nemec (@MatjaNemec) March 5, 2024
Več👉https://t.co/8nNzcBXmKZ pic.twitter.com/07GzaDyLeA
Qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta të Republikës së Kosovës e gëzojnë regjimin pa viza që nga 1 janari i këtij viti.
Por, nga ky vendim u përjashtuan ata qytetarë që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Autoriteti Koordinues, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Ata u përjashtuan edhe kur u hoqën vizat për qytetarët e Serbisë, në dhjetor të vitit 2009.
Me vendimin për anulimin e vizave për Kosovën, qytetarët që kanë vetëm pasaporta serbe, mbeten të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzojnë regjim pa viza me vendet evropiane.
Në nëntor të vitit 2023, Komisioni Evropian propozoi fillimin e procedurave për përfshirjen edhe të qytetarëve të Kosovës me pasaporta nga Serbia në liberalizimin e vizave.
Qeveria e Kosovës u shpreh kundër, duke thënë se është e shqetësuar për një propozim të tillë pa konsultime apo njoftime paraprake.
Prishtina zyrtare nuk i njeh pasaportat serbe të Autoritetit Koordinues, sepse konsideron se ato lëshohen nga një institucion ilegal.
“Njohja e këtyre dokumenteve cenon integrimin e komunitetit serb, dëmton përpjekjet tona afatgjate [për integrimin e serbëve]”, shkroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Facebook, më 21 nëntor.
Ai, gjithashtu, tha se pjesëtarët e komunitetit serb me pasaporta të Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën e shteteve evropiane, të njohur si Schengen.
Vendimin për heqjen ose jo të vizave e marrin Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian.
Parlamenti Evropian përfundon punën në prill, pasi institucioni hyn në fushatë parazgjedhore për zgjedhjet evropiane që do të mbahen në qershor.
Mbetet e paqartë nëse do të ketë kohë të mjaftueshme për t’i respektuar të gjitha procedurat që vendimi për këtë të merret gjatë mandatit aktual të Parlamentit Evropian.
(Radio Evropa e Lirë)