Emigracioni në SHBA nëpërmjet adoptimit

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Emigracioni nëpërmjet adoptimit (Intercountry adoption) nënkupton adoptimin e një fëmije që nuk jeton në të njëjtin vend me prindërit adoptues, por në një vend tjetër të botës. Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-i) luan një rol kyç në këtë proces adoptimi. Ligjet amerikane të Emigracionit parashikojnë tre procese të ndryshme përmes së cilave dikush mund të emigrojë përmes adoptimit. Një person i adoptuar mund të emigrojë sa kohë që adoptimi i tij ose i saj i përmbush të gjitha kërkesat që parashikon procesi i parashikuar me ligj. 

Egzistojnë dy procese të veçanta vetëm për ata fëmijë që adoptohen nga nënshtetas amerikanë. Fëmija mund të emigrojë menjëherë pas adoptimit ose mund të emigrojë në SHBA dhe aty pastaj të adoptohet. Procesi i Hagës për adoptimin e fëmijëve (nga vende të ndryshme), gjen zbatim në rastet kur fëmija është me banim në një nga vendet që bëjnë pjesë në Konventën për Adoptim e Hagës (The Hague Intercountry Adoption Convention). Në rastet kur ky proces nuk gjen zbatim, përdoret The Orphan Process, që është procesi që nuk ka të bëjë me Hagën. Shumë aspekte të kërkesave që parashtrohen nga këto dy procese, janë të ngjashme. Një proces tjetër që gjen zbatim është rasti kur një nënshtetas amerikan apo një banor i përhershëm i ligjshëm paraqet peticion për bashkim familiar për fëmijën që ka adoptuar. 

Shqipëria bën pjesë në Konventën e Hagës.

 

Procesi i Hagës

Konventa e Hagës për mbrojtjen dhe adoptimin e fëmijëve (nga vende të ndryshme), është një traktat ndërkombëtar që mbron interesat e fëmijëve, prindërve biologjikë si dhe prindërve adoptues që janë përfshirë në proceset e adoptimit jashtë kufijve. Konventa për Adoptim e Hagës hyri në fuqi në 1 prill, 2008. Të gjitha rastet e paraqitura pas datës 1 prill, 2008, përmes së cilave kërkohet adoptimi i një fëmijë që banon në cilindo vend jashtë SHBA-së, por që është pjesë e Konventës në fjalë, duhet të ndjekin procesin e Hagës. 

Cilido vend që është pjesë e Konventës duhet të caktojë zyrtarisht një autoritet qendror që merret me procesin e adoptimit dhe garanton përmbushjen e tij në përputhje me ligjin. Për SHBA-në, ky autoritet është Departamenti i Shtetit (DOS). Agjencitë që merren me shërbimin e adoptimit duhet të jenë të akredituara dhe të autorizuara për të ofruar shërbime adoptimi në përputhje me kërkesat që parashikon Haga, në mënyrë që t’u lejohet të ndihmojnë prindin/ërit që do të adoptojnë sipas procesit të Hagës. Përpara se të paguani, sigurohuni që agjencia e adoptimit është e autorizuar të merret me rastet e adoptimit sipas procesit të Hagës. Një agjenci shërbimi e tillë nuk mund t’u ofrojë prindërve që duan të adoptojnë as këshilla ligjore dhe as shërbime ligjore si dhe nuk mund t’i përfaqësojë këta prindër përpara USCIS-it.

  

Hapat e këtij procesi janë si më poshtë:  

  • Zgjidh një agjenci adoptimi të akredituar për të kryer procesin e Hagës (dhe ndoshta edhe një avokat emigracioni).  
  • Procesin e inspektimit të ambjentit familjar, kontrollet si dhe intervistat përkatëse për të parë nëse përmbushen kriteret për adoptim, besojuani një agjencie të autorizuar për të kryer një diçka të tillë në përputhje me procesin e adoptimit të Hagës.  
  • Aplikoni pranë USCIS-it duke dërguar formularin I-800A (Application for Determination of Suitability to Adopt a Child from a Convention Country) përpara së të adoptoni një fëmijë ose t’i hyni procesit që përcakton nëse jeni i përshtatshëm për të adoptuar një fëmijë nga jashtë kufijve.

Duhet të përmbushni kërkesat si më poshtë:  

  • Të jeni nënshtetas amerikan  
  • Te jeni me banim në Shtetet e Bashkuara  
  • Nëse jeni i martuar, bashkëshortja/bashkëshorti duhet gjithashtu të firmosin formularin përkatës Form I-800A si dhe të duan të adoptojnë fëmijën që doni të adoptoni ju vetë 
  • Nëse nuk jeni i martuar, duhet të keni qenë të paktën 24 vjeç kur paraqitët formularin I-800A, si dhe duhet të jeni 25 vjeç kur të paraqisni formularin I-800

Nëse USCIS-i e aprovon aplikimin, punoni ngushtë me një agjenci adoptimi për të siguruar propozimin për sistemimin e fëmijës së adoptuar. Mund t’i bëhet kërkesë autoriteteve qendrore në vendin ku banon fëmija për aprovimin e adoptimit. Në momentin kur autoritetet qendrore kanë paraqitur propozimin që fëmija të merret për adoptim prej jush, por përpara se të kryeni adoptimin, duhet të paraqisni formularin I-800 për fëmijën (Petition to Classify Convention Adoptee as an Immediate Relative) në emër të fëmijës që do të adoptohet. 

Në mënyrë që fëmija të mund të adoptohet, në përputhje me kërkesat e Konventës së Hagës, duhen më parë të përmbushë këto kritere:

  • Të jetë nën moshën 16 vjeç në kohën e paraqitjes së formularit I-800,  
  • Të banojë në një vend që është anëtar i konventës
  • Të jetë dhënë leja nga organet qëndrore të vendit (ku ndodhet fëmija) për adoptimin e fëmijës, dhe të jetë marrë pëlqimi i plotë dhe i nevojshëm për kryerjen e adoptimit.
  • Nëse adoptuesi është i martuar, duhet që edhe bashkëshortja të firmosë formularin I-800, dhe të dojë të adoptojë fëmijën.
  • Nëse nuk jeni i martuar duhet të keni mbushur të paktën 25 vjeç kur të paraqisni formularin I-800.

Me t’u aprovuar formulari I-800, mund të aplikoni për vizë për fëmijën dhe të kryeni adoptimin e fëmijës (të fitoni kujdestarinë për ta sjellë fëmijën në SHBA për adoptim) kur Departamenti i Shtetit t’jua këshillojë diçka të tillë. Kjo nënkupton që fëmija mund të hyjë në SHBA me vizë emigruese IH-3.

SHëNIM:  Adoptimi nuk duhet kryer përpara se të paraqisni formularin I-800A/I-800. Mosndjekja e kësaj radhe veprimesh bie në kundërshtim me marrëveshjen e Hagës.  

Të gjithë fëmijët me vizën e emigrantit IH-3 pranohen në SHBA si rezidentë të përhershëm. Në varësi të kategorisë së vizës që i është dhënë fëmijës, USCIS-i i dërgon atij me postë ose kartën e rezidentit të përhershëm (green card) ose çertifikatën e nënshtetësisë amerikane. Fëmija që emigron në SHBA si fëmijë i adoptuar i një nënshtetasi amerikan bëhet automatikisht nënshtetas amerikan nëse procesi i adoptimit ka përfunduar plotësisht përpara se fëmija të ketë mbushur 18 vjeç dhe nëse ai ose ajo banojnë në Shtetet e Bashkuara nën kujdesin ligjor dhe fizik të prindit që ka nënshtetësi amerikane. Pas ardhjen në SHBA me vizë emigruese, fëmija duhet të ketë filluar të banojë në SHBA në mënyrë që të mund të bëhet nënshtetas amerikan dhe të marrë certifikatën e nënshtetësisë amerikane. Nëse prindi adoptues punon për qeverinë amerikane apo është  pjesë e forcave të armatosura amerikane të vendosura përkohësisht jashtë kufijve të vendit, fëmija, për qëllimin e marrjes së nënshtetësisë, konsiderohet si dikush që jeton në SHBA.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nёmёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]