SmartLink-u: Aplikacioni që ndihmon ICE-in të kryejë monitorimin elektronik nëpërmjet telefonit
Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kiran Both
ICE-i (agjencia federale amerikane që ka si mision ndalimin e emigracionit të paligjshëm në kufi) po mbikqyr dhe vë në zbatim një tjetër alternativë të programit të paraburgimit (“ATD”) e cila po përdoret për të monitoruar nëse po zbatohen nga jonënshtetasit kushtet e vëna gjatë lirimit nga paraburgimi (lirimi me kusht) si dhe për të ndihmuar në proçesin e nxjerrjes jashtë vendit të emigrantëve të paligjshëm. Ndërkohë që ekzistojnë lloje të ndryshme të ATD-ve, siç janë pagesa e një obligacioni, të caktuar nga gjykata, ose konfiskimi i pasaportës, programi kryesor “ATD” i ICE-it është ai që njihet si “ISAP” një program intensiv ky mbikqyrjeje i emigrantëve të paligjshëm.
ICE-i përdor tre lloje të ndryshme të teknologjisë për të monitoruar zbatimin e kushteve të lirimit nga paraburgimi si dhe për të ndihmuar në nxjerrjen jashtë vendit të emigrantëve të paligjshëm. Ato janë: raportimi nëpërmjet telefonit, monitorimi elektronik nëpërmjet “byzylykut” që vihet rreth kyçit të këmbës i cili përdor sistemin global të monitorimit të vendndodhjes gjeografike (GPS), si dhe SmartLink-un. SmartLink-u është një aplikacion telefonik (app) që mundëson forma të ndryshme kontrolli nga ICE-i. ICE-i ka siguruar mundësinë për përdorimin e SmartLink-ut në programin ATD falë një kontrate me B.I. Incorporated, degë e një kompanie private burgjesh e quajtur “GEO Group”. Kohët e fundit, anëtarët e Kongresit kanë shprehur shqetësimin lidhur me kontratën në fjalë si dhe programin ISAP në përgjithësi. Në një kohë që përdorimi i SmartLink-ut apo i teknologjive të ngjashme nuk është diçka e re, ndikimi që ato kanë në shëndetin mendor të njerëzve që mbahen nën mbikëqyrje, është diçka që vetëm tani ka filluar të kuptohet pak më mirë. Në vijim, po japim pesë gjëra që duhet të dini për SmartLink-un:
1. Po kthehet me shumë shpejtësi në mjetin e parë që përdor ATD-ja
Ekzistojnë rreth 355,140 jonënshtetas të regjistruar në programin ATD të ICE-it. E thënë ndryshe, 82% e të gjithë të regjistruarve në listën e ATD-së janë futur në SmartLink. Vetëm tre vjet më parë, numri i jonënshtetasve në SmartLink ishte vetëm 6,000. Nëse klienti juaj ka hyrë në kufi kohët e fundit, ka shumë mundësi që ta ketë këtë aplikacion në telefonin e tij ose në një pajisje që ia ka dhënë qeveria. Kjo nuk do të thotë që ICE-i nuk përdor më “byzylykët” monitorues në kyçin e këmbës, por prirja për përdorimin e tyre është në rënie, ose thjesht po ua heqin byzylykët dhe po i regjistrojnë jonënshtetasit në SmartLink.
2. Kontrolli nëpërmjet fotografisë
Në kohën kur një qytetar jonënshtetas lirohet nga paraburgimi nga CBP-ja (agjencia që merret me mbrojtjen dhe patrullimin e kufijve) ose ICE-i, atij/asaj i bëhet një foto. Në momentin e regjistrimit në programin ATD (zakonisht në kontrollin e parë të ICE-it), ICE-i bën një numër fotografish për identifikim. Me t’u futur në program, jonënshtetasve u kërkohet të hapin aplikacionin dhe të fusin aty një foto të tyre,kjo në momentin kur u kërkohet ose në orare të caktuara. Paaftësia e jonënshtetasit për ta bërë këtë gjë, merret si “moszbatim” i kërkesës. Jonënshtetasit kanë raportuar probleme që u kanë dalë gjatë futjes së fotove si dhe kanë thënë që u lejohet vetëm një numër i caktuar përpjekjesh për të futur foton në sistem, pas ezaurimit të të cilave, jonënshtetasit bllokohen nga sistemi për të vepruar më tej.
3. Vendndodhja gjeografike
Kur një jonënshtetas hap aplikacionin, ICE-i mund të shohë vendndodhjen gjeografike të tij/saj dhe mund ta krahasojë me kushtet që i janë vendosur jonënshtetasit kur është liruar nga paraburgimi. Për shembull, nëse jonënshtetasi presupozohet të mos largohet jashtë shtetit, vendndodhja e tij/saj aktuale gjeografike ia konfirmon ICE-it nëse ky kusht moslargimi është respektuar ose jo. Sipas ICE-it, të dhënat që po mbledhin lidhen me vendndodhjen gjeografike vetëm në oraret e paracaktuara për kontroll.
4. Komunikimi me SmartLink
Të gjithë jonënshtetasve të regjistruar në SmartLink u është caktuar nga një specialist i kompanisë B.I. Inc. që të merret me çështjen ose një zyrtar i programit ATD të ICE-it. Së bashku, këta individë monitorojnë nëse jonënshtetasi u përmbahet kushteve si dhe ofrojnë nivele të ndryshme ndihme për “menaxhimin e çështjes”. Kjo nënkupton dërgimin e një serie njoftimesh që shfaqen automatikisht në ekran nga aplikacioni, njoftime të shpeshta që synojnë t’u kujtojnë jonënshtetasve kur janë kontrollet, seancat gjyqësore, si dhe mesazhe të tjera përmes aplikacionit që vijë direkt nga specialistët që merren me çështjen. Sipas ICE-it, jonënshtetasit mund t’u dërgojnë gjithashtu nëpërmjet aplikacionit, mesazhe të drejtpërdrejta zyrtarëve përkatës të ATD-së dhe specialistëve që po merren me çështjen. Mesazhet mund të dërgohen në gjuhën e jonënshtetasit duke përdorur përkthyesin elektronik brenda aplikacionit.
5. Nuk kërkohet që aplikacioni të instalohet në pajisjet elektronike personale
ICE vë në dispozicion celularë ku është futur paraprakisht aplikacioni SmartLink. Këto pajisje nuk mund të kryejnë telefonata ose të përdoren si celularë. Shpeshherë, ICE-i e pajis jonënshtetasin e liruar nga paraburgimi me një pajisje të tillë të cilën e ofron qeveria. Kur jonënshtetasit paraqiten për kontrollet që ka urdhëruar ICE-i, atyre u jepet udhëzim të shkarkojnë aplikacionin SmartLink në pajisjet e tyre personale dhe të kthejnë pajisjen që u dha fillimisht qeveria. Megjithëse nuk gjendet në faqen e tyre publike të internetit, gjatë takimeve të palëve publike të interesuara ku është diskutuar SmartLink-u, ICE ka deklaruar se jonënshtetasit janë të lirë të zgjedhin që të mos e shkarkojnë SmartLink-un në pajisjet e tyre personale dhe të kërkojnë të mbajnë pajisjen që u ka dhënë qeveria.