Emisarët e BE-së dhe SHBA-së në Prishtinë e Beograd, takohen me Kurtin e Vuçiqin

Prishtinë, 20 janar 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, së bashku me të dërguarin e posaçëm të Francës, Emmanuel Bonne, të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltarin e kryeministres së Italisë, Francesco Talo, arritën të premten në Prishtinë, në përpjekje për të shtyrë përpara precesin e bisedimeve për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pritet të bisedohet për ringjalljen e procesit, i cili është ndërprerë pothuajse plotësisht pas tensioneve të larta që shkaktuan mosmarrëveshjet lidhur me targat e automjeteve ilegale të lëshuara nga Serbia.

Delegacioni pesë anëtarësh nga BE dhe SHBA do të udhëtojë nga Prishtina në Beograd, ku do të takohen me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se në takimet e tyre në Prishtinë dhe Beograd, emisarët e BE-së dhe SHBA-së do të shqyrtojnë mundësitë për organizimin e një takimi të Kurtit e Vuçiqit në Bruksel.

Brukseli dhe Uashingtoni angazhohen që midis Kosovës e Serbisë të arrihet sa më parë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e raporteve midis tyre.

Ditë më parë është konfirmuar se Kurtid he Vuçiqi tashmë e kanë në tryezë draftin e Bashkimit Evropian për një marrëveshje midis palëve, i cili është hartuar nga Franca dhe Gjermania.

Detaje të propozimit nuk janë bërë publike, ndërsa palët kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me të. Albin Kurti e ka cilësuar si “bazë e mirë për diskutime”, ndërsa Aleksanda Vuçiq e ka cilësuar të papranueshëm.

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë në disa raste se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë kërkon “zgjedhje të vështira” dhe “guxim politik”.

“Të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis. Ne mendojmë se këto kompromise janë të mundshme. Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kreative, për t’i ndihmuar ata që t’i bëjnë ato kompromise”, ka thënë Chollet një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet, por ka theksuar se SHBA nuk do të lëjojë që ky asociacion të jetë si Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do ta çonim përpara”, ka thënë Chollet.

Ai ka shfaqur shpresën se javët e ardhshme mund të bëhet një përparim në procesin e dialogut.

“Ne shpresojmë që në javët e ardhshme të shohim përparim të vërtetë në këtë process”, ka thënë Chollet.

(r.m.)