Berlin, 26 maj 2024 – Presidenti i Francës, Emanuel Macron, arriti në Gjermani, në një vizitë zyrtare tri ditëshe. Vizita e zotit Macron në kryeqytetin gjerman, Berlin, dhe në qytetet Dresden e Muenster është vizita e parë zyrtare e një presidenti francez në Gjermani pas 24 vjetësh.
Kjo vizitë cilësohet si një provë për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Francës, të cilat i udhëheqin politikat e BE-së në një periudhë sfidash të mëdha për Evropën, nga Ukraina deri të zgjedhja e mundshme e Donald Trumpit President i Shteteve të Bashkuara në nëntor.
Presidenti Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz kanë politika të ndryshme udheheqjeje dhe janë përplasur publikisht mbi një sërë çështjes nga mbrojtja tek energjia bërthamore, që kur erdhën në pushtet në 2021.
Megjithatë, ata kanë arritur së fundmi kompromis për një sërë temash, nga reforma fiskale tek ndryshimet mbi politikat e subvencionimeve, duke bërë të mundur arritjen e marrëveshjeve dhe një qasje më të njëzëshme të Bashkimit Europian.
Një çështje e cila përbën shqetësim për Evropën është mbrojtja, veçanërisht nëse zgjedhjet presidenciale në SHBA i fiton republikani Donald Trump. Ekspertët e mbrotjes e cilësojnë Trumpin si një aleat më pak të qëndrueshëm të Europës se rivali i tij, Presidenti aktual Joe Biden.
Në fillim të këtij viti, Trump tha se SHBA-ja nuk do t’i mbronte vendet e NATO-s nga sulmet eventuale të Rusisë nëse ato nuk i plotësojnë detyrimet e tyre për mbrojtjen e Aleancës. Ai tha gjithashtu se do ta nxiste Rusinë “të vepronte si të donte”.
(Sipas Zërit të Amerikës)