Uashington, 25 tetor 2023 – Ligjvënësi Tom Emmer hoqi dorë të martën nga kandidatura për kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, vetëm pak orë pasi mori emërimin nga kolegët e tij republikanë, duke vazhduar përplasjet e brendshme partiake që kanë paralizuar Kongresin për më shumë se tre javë, tha një përfaqësues republikan.
Republikani Emmer, që ka postin e tretë më të rëndësishëm në Dhomën e Përfaqësuesve, siguroi emërimin pas pesë raundesh votimi, por dukej se kishte të paktën 20 vota më pak se 217 të nevojshme për të marrë detyrën e kryetarit, thanë ligjvënësit.
Ai u largua befas nga një takim për emërimin e tij, duke kaluar përkarshi gazetarëve dhe u largua nga ndërtesa pa iu përgjigjur pyetjeve të shtypit.
I përzgjedhuri i katërt republikan për këtë detyrë do ta gjejë veten përballë pasigurive të tre kandidatëve të mëparshëm, në përpjekje për të fituar mbështetjen e një grupi të vogël republikanësh të vijës së ashpër që kanë forcën e votës për të ardhmen e tij.
“Shpresoj se mund të gjejmë një zgjedhje tjetër”, tha Jim Banks, një nga ligjvënësit republikanë që deklaroi se do të votonte kundër zotit Emmer. “Tom Emmer nuk është konservator”.
62-vjeçari Emmer është më i moderuar se shumë republikanë të tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve. Ndryshe nga shumë në partinë e tij, ai votoi për të certifikuar fitoren e presidentit demokrat Joe Biden në vitin 2020 kundër republikanit Donald Trump mes trazirave të 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit nga mbështetësit e zotit Trump.
Zoti Trump tha se do të ishte një “gabim tragjik” mbështetja e ligjvënësit nga Minesota për postin e kryetarit. “Ai është krejtësisht jashtë kontaktit me votuesit republikanë”, shkroi zoti Trump në rrjetet sociale.
Në fillim të muajit, zoti Trump mbështeti kandidaturën e ligjvënësit të vijës së ashpër Jim Jordan për postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Por ai e tërhoqi kandidaturën pas dështimit në tre votime.
Tashmë, republikanët kanë refuzuar dy kandidatë për postin e kryetarit duke e lënë Dhomën e Përfaqësuesve pa drejtues që kur një grup i vogël ligjvënësish shkarkuan nga detyra zotin Kevin McCarthy më 3 tetor.
(Zëri i Amerikës)