Uashington, 9 nëntor 2022 – Çështja se kush do të kontrollojë Kongresin është ende e paqartë pasi demokratët treguan një forcë befasuese, duke mposhtur republikanët në një seri garash dhe duke sfiduar pritshmëritë se inflacioni i lartë dhe vlerësimet e ulëta për punën e presidentit Joe Biden do të ushtronin ndikim në rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit.
Lajmi më inkurajues për partinë është se demokrati John Fetterman mori një vend në Senat që u takonte republikanëve dhe i cili është thelbësor për shpresat e partisë për të mbajtur kontrollin e dhomës së lartë.
Është ende herët për të ditur se çfarë do të ndodhë me vendet kritike në Senat nga shtetet Wisconsin, Nevada, Georgia dhe Arizona, që mund të përcaktojnë shumicën.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët mbajtën vendet nga nga Virxhinia në Kansas në Rhode Island, ndërsa rezultatet nga shumë qarqe në shtete si Nju Jorku dhe Kalifornia ende nuk dihen.
Demokratët dolën të suksesshëm gjithashtu në garën e guvernatorëve, duke fituar në Wisconsin, Michigan dhe Pennsylvania – fusha beteje kritike për fitoren e zoti Biden në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj ish-presidentit Donald Trump.
Guvernatorët aktualë republikanë shënuan njëfarë suksesi.
Guvernatori i Floridës Ron DeSantis dhe Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, dy pretendentët e ardhshëm të mundshëm presidencialë republikanë, fituan në garë me sfiduesit demokratë në dy shtetet më të mëdha të kuqe të vendit.
Guvernatori republikan i Gjeorgjisë, Brian Kemp, u rizgjodh përballë demokrates Stacey Abrams në një garë të re mes tyre pas asaj të vitit 2018.
Pasi humbi në në vitin 2018, zonja Abrams punoi si avokate për të drejtat e votës dhe fitoi admirimin e demokratëve në mbarë vendin, por kjo nuk mjaftoi.
Ishte një goditje e rëndë për zonjën Abrams, që ishte parë si një forcë e mundshme brenda partisë, në një kohë kur Gjeorgjia është kontestuar gjithnjë e më shumë si një vend beteje.
Rezultatet treguan ndërkaq aftësinë e Kemp për të shpëtuar një karrierë politike që ishte në rrezik pasi ai zemëroi ish-presidentin Donald Trump duke refuzuar të bashkohej me pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet e 2020 ishin vjedhur.
(Zëri i Amerikës)