ENDE PA SHPJEGIME “SUPERLEKU” I VERËS 2023

Nga Ruben Avxhiu

Sipas Bankës së Shqipërisë, Dollari amerikan është shkëmbyer me 120,88 Lekë në 3 nëntor 2022, kurse sot është shkëmbehet me 89.61 Lekë.
Si mund të humbë monedha amerikane më shumë se 30% të vlerës së saj në pak muaj, në një vend si Shqipëria është mister më vete.
Zakonisht nuk kam oreks për teoritë konspirative edhe nëse nuk e diskutoj që Shqipëria është një vend me shumë korrupsion dhe ku ndodhin rëndom pastrime parash.
Mirëpo çfarë duhet të mendojë njeriu kur shpjegimet e tjera janë të pamjaftueshme ndërsa ekonomistët heshtin ose iu përshtaten qendrimeve politike në analizat e tyre?
Një pretendim që përsëritet shpesh është vërshimi i vizitorëve dhe turistëve të huaj që sjellin me vete monedhat e huaja me tepri.
Dakord, më pëlqeu si faktor ndikues. Për kuriozitet shfletova arkivin e vlerave të shkëmbimit të monedhave që mban Banka e Shqipërisë për muajt e verës së kaluar.
Ja sa kanë qenë vlerat mesatare të shkëmbimit të dollarit amerikan
Maj 2022: 1 Dollar = 113,94 Lekë
Qershor 2022: 1 Dollar = 113,25 Lekë
Korrik 2022: 1 Dollar = 115,29 Lekë
Gusht 2022: 1 Dollar = 115,47 Lekë
Shtator 2022: 1 Dollar = 118,01 Lekë

Nuk më duket se muajt e verës e kanë ulur. Përkundrazi dollari është shtrenjtuar vjet në verë. Nga ana tjetër Euro ka rënë nga një Lek në muaj. Ka qenë 120 Lekë në maj 2022 dhe ka rënë në 116.97 në gusht.
Aspak rënia gati 10% e vlerës që pamë disa muaj më parë, apo rënia më shumë se 5% e vlerës brenda një jave këto ditët e fundit.
Po i marr të mirëqëna pretendimet zyrtare për suksesin ekonomik të Shqipërisë. Por nuk më duket ndonjë kërcim i madh ekonomik krahasuar me 2022 që të shpjegojë “Superlekun”.
E pranoj se është domethënëse që nuk janë vetëm Euro dhe Dollari që po bien por pothuajse të gjitha monedhat e tjera të botës që shkëmbehen në Shqipëri. (Madje edhe Ari!)
Siç është thënë tashmë, forcimi i Lekut do të dëmtojë rëndë eksportuesit duke i bërë mallrat shqiptare më pak konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe do të ulë fitimet në industrinë e turizmit, që paguhet nga turistët kryesisht me Euro, një monedhë e cila ashtu si gjithë të tjerat vlen më pak sot në Shqipëri.