ENDJE MBI NJË TREGIM

Shkruar në 80 vjetorin e çlirimit të Ishullit të Sazanit nga forcat partizane më 21 tetor 1944.

VERI TALUSHLLARI

Ku ta dish?! Mbase edhe kjo “Endje…” mund të quhet tregim. Se rrëfimi mbi të cilin do të mundohem të end është i bukur, shumë i bukur! Shkruar nga dorë Mjeshtri,- ta dini,nuk e shkruaj kot me “M”- e mbi të bukurën o end bukur, o mos ju afro!

Dhimitër Shuteriqi është tregimtar i rrallë. Ndër më të mirët e Letërsisë Shqipe., bashkë me Naum Priftin, Kiço Blushin, Martin Camajn, Anton Pashkun, Faik Ballancën, Zija Çelën dhe disa si ata.

Por Shuteriqin do ta veçoja. Se si i thur ato fjali, se si i rrëfen ato ngjarje… Të mer për dore dhe të çon aty ku ecën, flet, mediton personazhi i tij, të bën një me të. Ti qesh, qan, vuan, gëzohesh si dhe ai. More vërtet bëhesh një me të!

Ja, lexo “Zot dhe Rob” dhe jam i sigurtë që kur të lexosh fjalën e fundit, mbi pikën e fjalisë do të bjerë dhe pika e lotit tënd. Jo thjesht për fatin e Uanit, jo për shpirtin e tij të madh, por për zgjimin e atij shpirti, shpirtit të Robit. Lexojeni, lexojeni atë tregim.

Ose atë tjetrin, “Buka dhe Thika.” E keni parë filmin ”Udha e Shkronjave”? Pa dyshim filmi më i bukur shqiptar.

E pra, gjithë atë kryevepër Vladimir Prifti dhe tre aktorët brilantë, Sandër Prosi, Ndrek Luca dhe Bujar Lako e ngritën mbi një tregim të Shuteriqit, “Buka dhe Thika.” Lexojeni dhe më thoni, është filmi aq i bukur sa tregimi?!

Por mjaft, se tjetër gjë jam nisur tu tregoj. E thashë në krye, 80 vjet më parë Sazani, Ishulli ynë i vetëm, iu bashkua tokës mëmë. Shekuj e shekuj të tërë na e kishin zaptuar. Gjithë perandoritë e mbretëritë e botës,si për çudi ishin dashuruar me atë copë shkëmb në mes të detit, e nuk e lëshonin e nuk e lëshonin sikur ç’të bëhej!

E ne e kishim plagë në zemër!

Ta kesh tokën tënde e të ta mbajë të rrëmbyer tjetri?! Dhe ku? Te dera e shtëpisë! E t’i rrinte Sazani Vlorës, po ç’thua?! jo vetëm Vlorës, por gjithë Shqipërisë, si thika në fyt. Se gjithë perandoritë e mbretëritë, nga romakët e venecianët që moti, e turqit e grekët e anglezët më vonë e fashistët e nazistët në Luftën e Dytë Botërore, e kishin mbushur me llagëme e topa, e kishin bërë Ishullin fortesë. Por Lufta e Dytë po mbaronte, Shqipëria ja, pothuaj ishte çliruar, partizanët kishin vënë në darë Tiranën dhe po bëheshin gati ta shtërngonin fytin e pushtuesit dhe atyre që u bënë një me të, po Sazanit, Sazanit si do t’i bëhej?!

Si do t’i bëhej? Do të çlirohej, ja, kjo do të bëhej! Po si? Do ta çlironte një skuadër partizanësh, ky ishte urdhëri i Komandës së Brigatës XII. Dukej pak si aventurë ajo punë. Dhe ashtu ishte. Nuk ishte gjë e lehtë. Po prit, se lufta, çdo lloj lufte, është dhe aventurë, kjo s’do shumë mend. Se është aty guximi dhe zgjuarsia, rreziku dhe fati, forca dhe dhimbja, fantasia dhe realiteti, humbja dhe fitorja…

E ajo skuadër partizanësh, gjithë gjithë nëntë djem të rinj, shumica nga Bregu, që ishin rritur me Sazanin në sy së largu që kur kishin lindur, shto dhe dy ushtarë italianë, nga ata që mbetën rrugëve të Shqipërisë pas dorëzimit të vendit të tyre, por që nuk dolën të hajrit,madje u bënë dëm, se u vodhën barkën me të mbritur në Ishull the u zhdukën në det a në dreq, e pra ata nëntë partizanë do t’i hynin një aventure.

E ç’morën me vete kur u nisën? Armët vetjake, një mitroloz, një dylbi, një hartë në cepin e së cilës lexohej “Carta Militare. Stato Maggiore. Secreto.”, e ku ishte vizatuar shumë saktë Ishulli, nga një orë dhe elektrik dore, pinca the ushqime për tre ditë.

Ishte e mërkurë. Kalendari shënonte 20 Tetor 1944. Nata ishte e ftohtë, ciknë. Qielli pa re, por dhe pa hënë. Mbushur me yje. Yje pa fund. Qiell më të yllëzuar të mos kishe parë! Të kishe t’i numuroje! Po kush ja kishte ngenë?!

Zbritën në një cep të Ishullit përballë Vlorës, pak larg molit, që të mos shiheshin nëse aty kishte roje. Jo, roje s’kishte. Edhe fari ishte hedhur në erë. Ta kishin braktisur Ishullin gjermanët?! Dy zbuluesit që dërgoi komandanti i skuadrës raportuan se te moli rrëzë kodrave ishin vetëm disa ndërtesa të shkatërrara. Dhe rruga e makinave, që ishte dhe në hartë. Moli ishte rrethuar me disa bunkerë të vegjël si zgjoje bletësh, që më vonë do të mësonin që ishin çerdhe flakhedhësish, e që gjermanët me ta kishin rrethuar krejt Ishullin. Por tashmë ishin shkatërruar, sikurse fortifikatat e tjera.

Puna nuk priste. Skuadra u nda në tre drejtime për të zbuluar ç’kish më tej në Ishull. Aty, mbi pyllin me pisha, në një çukë që dukej edhe natën, e lanë të takohen pas një ore. Parrulla: “Çlirimi”. Kundërparrulla: “Atdheu”

Njëra nga patrullat zbuloi një tunel me një arsenał të tërë armësh e municioni, e skuadra u armatos mirë me mitrolozë të rinj “Fiat”. Dy patrullat e tjera sollën lajmin se armiku ishte endé në Sazan. Të sigurtë se nuk mund t’i sulmonte kush, ja kishin shtruar me të ngrëna e të pira, bërtisnin e këndonin nën tingujt e një fisarminike e të një pianoje. Duhej të ishin shumë, se bëhej potere e madhe. Të hyje në ndërtesë edhe mund të bëhej, se roje nuk kishte, por ishte punë me rrezik, se partizanët aq ishin, më pak se gishtat e dy duarve. Vendosën të prisnin mëngjesin e të sulmonin. Zunë pozicione duke e rrethuar mirë ndërtesën, mitrolozat e automatikët gati, municion tashme kishin me bollëk, dhe qëndruan në pritë. Një natë e ftohtë, e gjatë. Por ata djem kishin kaluar netë e ditë ku e ku më të vështira. Pastaj në det agimi sikur vjen më shpejt. Dhe ja ku po zbardhte.

Me daljen e diellit, një zë i çjerrë i zgjoi nazistët nga gjumi dhe ai që dukej të ishte komandanti i tyre i rreshtoi në oborr. Si të mos i mjaftonte e pira e natës, edhe tani mbante një shishe në dorë dhe shante e ulurinte si i marrë duke vështruar me dylbi horizontin në drejtim të Italisë. Si duket priste ndonjë anije për t’i marë. Asgjë. Vetëm det, heshtje dhe ata ushtarët e tij, që mund të ishin më shumë se dyzetë, e që partizanëve të maskuar mirë vetëm 40-50 metra larg, u dukeshin si një tufë bashibozukësh me ato uniformat e çrregullta, gjysëm a plotësisht të dehur e që pa zë, mbase të frikësuar, por sigurisht të demoralizuar, dëgjonin të sharat dhe nuk kundërshtonin grushtat apo shqelmat e komandantit të tyre pijanec. Në një moment ky urdhëroi të hạpej një dere dhe pas pak, njëri pas tjetrit dolën përjashta me duart lart nja pesëdhjetë djem të tjerë, të lebetitur, të rreckosur e të verdhë në fytyrë, nga frika a nga uria a nga të dyja bashkë, se u mor vesh që ishin robër italianë, mbetur aty nga viti i shkuar pas kapitullimit të Duçes. Komandanti nazist urdhëroi të vareshin dy nga robërit dhe i caktoi me gisht.

Trekëmbëshi me litarin ishin gati.

Atë çast krisën mitrolozat partizanë. Nazistët e parë hëngrën dhé. I pari komandanti i tyre. Të tjerët nga sytë këmbët. Po ku do të vinin? Në grykat e armëve të rrethuesve. Ata që u shpëtuan plumbave tentuan të fshiheshin pas ndonjë muri ndërtese a shkurreje e transheje, por ishin gjithnjë nën zjarrin e partizanëve. Këta shtinin dhe bënin thirrje të dorëzohen. Dhe vërtet, duke parë se nuk kishin shpëtim, njëri pas tjetrit, kush me këmishën e bardhë si flamur e kush me të dy duart lart, u mblodhën në shesh.

Italianët gjithashtu nuk lëviznin. Duke parë se askush prej tyre nuk ra nga zjarri i rrethuesve, ata e kuptuan se kish ardhur shpëtimi i tyre e pas një çasti hutimi e ngrirjeje, shpërthyen në thirrje gëzimi e hareje: Partigiani! Partigiani!

E filluan të kërcejnë si të marrë.

Partizanët zunë tridhjetenjë robër, të gjithë esesë nazistë. Katërmbëdhjete mbetën të vrarë. Robërit italianë u treguan çlirimtarëve të tyre se nazistët i trajtonin si skllevër. I rrihnin, i burgosnin, i linin pa bukë, i vrisnin për mosgjë.

Me muaj pritën nazistët anijet e tyre t’i mernin, por më kot. Ndërlidhja me radio me komandën e tyre u prish javët e fundit,e, pasi kuptuan se dhe Vlora ra në duart e partizanëve, u bënë si të marrë. Disiplina, disiplina e famshme hitleriane, kish marë fund. Morali përtokë. Frika në qiell. As roje nuk nxirte dot ai komandanti i tyre, megjithëse kishte pushkatuar 2-3 nga të tijët, por ata ktheheshin nga vendrojet pa vajtur mire atje.

Robërit nazistë i mbyllën në një tunel ku nuk kishin nga të shkonin, dhe me ndihmën italianëve partizanët kërkuan ndonjë mjet lundrues, por nuk gjetën. Si ta lajmëronin komandën se misionin e kishin kryer? Ju kthyen traditës së hershme: ndezën zjarre dhe filluan të qëllojnë në ajër. Tym e flakë e bënë Sazanin dy net rresht, por vetëm ditën e tretë, Komisari i Brigadës XII mbriti me një benzinatë që dikush e kish fshehur në Pashaliman.

“Po ju ndezët qiell e tokë a derëbardhë!”-ju drejtua i gëzuar partizanëve çlirimtarë duke i përqafuar e përgëzuar për aktin e madh të çlirimit dhe bashkimit pas shekujsh të Ishullit të Sazanit me tokën mëmë.

Unë këtu po e mbyll “Endjen…” time mbi rrëfimin e Dhimitër Shuteriqit. Ai rrëfim, i marë nga goja e komandantit të skuadrës çlirimtare,, me fjalët e Mjeshtrit është ku e ku më i bukur, më i gjallë e me më shumë detaje se në rrëfimin tim. Prandaj ju them ta lexoni në librat e tij. Në “Tregimet e Zgjedhura” a në “Vepra Letrare 6”, e siç u thashë, jo vetëm atë, por edhe Tregimet e tjera, se nuk do të zhgënjeheni. Përkundrazi.

Nju Jork, janar-shkurt 2024