Prishtinë, 14 dhjetor 2021 – Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm.
Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i saj, Viktor Buzhala.
“Kemi bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. Kërkesa është që të rriten tarifat e energjisë elektrike për 7 për qind”, tha ai.
Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.
Ky çmim do të jetë deri më 1 prill të vitit 2022, nëse KEDS-i dhe Furnizuesit për Shërbim Universal për Energji Elektrike nuk kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Radio Evropa e Lirë kërkoi nga ZRRE-ja më shumë hollësi rreth rritjes së çmimit të energjisë, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk siguroi ndonjë përgjigje.
ZRRE njoftoi më 13 dhjetor se do të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, “për të reflektuar mbi çmimet e ngritura të importit”, si pasojë e krizës globale energjetike.
Kriza ka nisur tash e sa muaj, kryesisht për shkak të mungesave të gazit dhe rritjes së çmimeve të gazit.
(REL)