Engjëll Agaçi intervistohet në SPAK për aferën e incineratorit të Tiranës

Tiranë, 17 maj 2024 – Sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi u paraqit të premten më 17 maj në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Pasi doli nga godina e prokurorisë ai deklaroi shkurtimisht se ishte thirrur si person që ka dijeni për inceneratorin e Tiranës dhe se të gjithë duhet të jenë në dispozicion të drejtësisë.

Gjysmë ore pasi Agaçi doli nga SPAK, aty u paraqit dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako. Ndërkohë, të mërkurën më 15 maj, SPAK administroi edhe deklarimet e zv.kryeministres Beinda Balluku, e cila mban njëkohësisht pozicionin e ministers së Energjisë dhe Infrastrukturës. Balluku deklaroi për mediat se ishte thirrur për dosjen e incineratorëe dhe se duhej të jepte disa sqarime, që sipas saj të shërbenin për zbardhjen e çështjes.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi në dhjetor të vitit të kaluar pesëmbëdhjetë masa sigurie për zyrtarë dhe biznesmenë, në lidhje me hetimin për skandalin e incineratorit të Tiranës, përfshirë zyrtarët që dhanë koncesionin kontrovers. Disa zyrtarë, që janë në burg për vepra penale në lidhje me dy incineratorët e tjerë, në Elbasan dhe në Fier, morën masë shtesë sigurie. Po ashtu, biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të cilët janë aktualisht në arrati, u pajisën me një masë tjetër sigurie “arrest me burg”.

Incineratori i Tiranës është projekti më i madh mes tre projekteve kontroverse të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat premtuan, përkundër këshillave të ekspertëve dhe të Bashkimit Evropian, të ndërtonin incineratorë për djegien e mbeturinave. Në gusht të vitit 2023, SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë së incineratorit të Tiranës duke argumentuar se hetimet paraprake kishin nxjerrë pronarë fundorë të zinxhirit të maskuar në Holandë, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, aktualisht në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash për dy incineratorët e tjerë, Elbasanin dhe Fierin.

Kompania Integrated Energy B.V u themelua në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë, ka faturuar qytetarët shqiptarë në mënyra të ndryshme, përfshirë përmes sistemit fiskal për qeverinë apo përmes tarifave të detyrueshme për depozitim mbetjesh.

Të dhënat e bilancit të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se mes viteve 2017 dhe 2021, qytetarët i paguan Integrated Energy BV së paku 7.9 miliardë lekë në formën e tarifave koncesionare dhe tarifave të shërbimit të depozitimit. Në vitin 2021, të ardhurat e kompanisë arritën në 2.6 miliardë lekë. Bilanci i vitit 2022 nuk është depozituar deri më tani në QKB, por të dhënat e pagesave të thesarit të buxhetit të shtetit tregojnë se nga 1 janari 2022 deri më sot, kompania ka përfituar edhe 2 miliardë lekë të tjera. Duke marrë parasysh këtë, dhe të ardhura të tjera që kompania faturon për depozitimet, deri në kohën e sekuestrimit në gusht 2023, fusha e mbetjeve të Tiranës duket se u ka kushtuar taksapaguesve minimalisht 100 milionë euro. Incineratorët e Fierit dhe Elbasanit kanë kushtuar rreth 50 milionë euro.

(Reporter.al)