Erdogan premton dronë kamikazë dhe mbështetje tjetër ushtarake për Shqipërinë

Tiranë, 10 tetor 2024 – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shprehu në Tiranë interesin e vendit të tij për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Shqipërinë. Ai tha se dy palët synojnë që vëllimi ishkëmbimeve tregtare midis dy vendeve të arrijë në 2 miliardë dollarë dhe për diversifikimin e investimeve në sektorë novatorë”.

“Ne i shohim nismat tona në fushën e tregtisë dhe të investimeve si hapa që do të rrisin mirëqenien e popujve tanë. Në këtë kuadër ne vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur vëllimin tregtar në 2 miliardë dollarë në fazën e parë kjo”, tha ai.

Erdogan tha se Turqia do të ofrojë mbështetje ushtarake për Shqipërinë, të cilën e ka cilësuar si “partner strategjik dhe aleat”.

“Ne gjithashtu do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për të përmbushur nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, partnerit tonë strategjik, aleatit tonë të NATO-s në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimeve ushtarake.

Kryeministri Rama tha se sot u konfirmua fillimi i një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Shqipërisë.

“Ne jemi shumë të interesuar dhe patjetër edhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak ku dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapacitetesh për prodhimin e industrisë ushtarake dhe ku ne kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë”, tha ai.

Rama e vlerësoi veçanërisht zotimin e Presidentit Erdogan për të furnizuar Shqipërinë me dronë kamikazë.

“… unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot, në këtë kohë të trazuar, kur bota ka marrë një drejtim të çuditshëm, për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikaze”, tha Rama.

Ai nuk tregoi se sa dronë i janë premtuar Shqipërisë, ndërsa u kujdes që të bëjë të qartë se këto armë do të përdoren vetëm për vetëmbrojtje. 

“Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”, u shpreh Rama.

Presidenti turk bëri të ditur se me kryeministrin Rama i kanë marrë disa “vendime” për luftimin e organizatës FETO, të cilën ai e ka shpallur organizatë terroriste, por nuk tha se çfarë vendimesh kanë marrë.

“Ne diskutuam edhe për çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste, veçanërisht kundër FETO-s, me mikun rim të dashur kryeministër, zotin Rama. Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive, përmes vendimeve që ne i kemi marrë sot”, u shpreh ai.

Erdogan foli edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme. Ai e ekuzoi Izraelin se po kryen gjenocid në Gazë dhe në tokat e pushtuara palestineze, duke theksuar ase gjatë agresionit njevjeçar izraelit “janë martirizuar 50 mijë palestinezë të pafajshëm dhe janë plagosur mbi 100 mijë të tjerë”.

Erdogan tha se Izraeli bombardoi xhamitë, kishat, spitalet, shkollat, universitetet dhe tregjet, madje edhe qendrat e refugjatëve dhe strehimet e fëmijëve, grave dhe të moshuarve në territoret e Palestinës. Ai tha se Izraeli ka filluar masakrat edher në Liban dhe bëri thirrje botës së ndërgjegjshme që të veprojnë bashkërisht kundër “terrorizmit shtetëror” të Izraelit.

“Është detyrim i ndërgjegjshëm për të gjithë ne që të qëndrojmë përballë terrorizmit shtetëror që zbaton Izraeli. Administrata e Netanyahut, duke sulmuar Libanin së fundmi, tregoi sërish se nuk ka ndërmend të vendosë paqen në rajon”, theksoi ai.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u prit me ceremony shtetërore nga Presidenti I Shqipërisë, Bajram Begaj.

Zyra e Presidentit Begaj bëri të ditur se në takim u bisedua për thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Konfirmoj se Shqipëria ka një vullnet të fortë për të vijuar me avancimin e marrëdhënieve në çdo fushë të bashkëpunimit dypalësh. Mbajtja e takimit të dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë është mundësi e mirë për të diskutuar në mënyrë më të thellë dhe më konkrete bashkëpunimin dypalësh në fusha, si: siguria, mbrojtja, energjia e rinovueshme, ekonomia dhe tregtia, infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe çështje të tjera thelbësore”, citohet të ketë thënë Begaj.

Sipas njoftimit, z. Begaj e ka falënderuar z. Erdogan për ndihmën që ka dhënë Turqia para dhe gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, spër ndihmën në edukimin, trajnimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe për ndihmën për Kosovën.

Pas takimeve me Begajn dhe Ramën, Presidenti turk ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, e cila është financuar nga komuniteti fetar i Turqisë.

(r.m.)