Erdogan: Putin ka gatishmëri t’i japë fund luftës sa më shpejt që është e mundur

Nju Jork, 20 shtator 2022 – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se beson që lideri rus, Vladimir Putin është duke kërkuar t’i japë fund luftës që ka nisur në Ukrainë dhe se “një hap i rëndësishëm” do të bëhet.

Ai ka thënë se i është krijuar një përshtypje, nga bisedat me Putinin, se ai dëshiron “ta përfundojë këtë gjë sa më shpejt që është e mundur”.

Ukraina ka rikthyer një pjesë të mirë të territorit këtë muaj.

Lideri turk ka dhënë shenja se gjërat janë “goxha problematike” për Rusinë.

Erdogan ka thënë se ka pasur “diskutime shumë të gjera” me Putinin, në një samit të mbajtur në Uzbekistan, javën e kaluar.

Në një intervistë për transmetuesin amerikan, PBS, lideri turk ka thënë se i është kryer përshtypja që presidenti rus dëshiron një fund të shpejtë të luftës.

“Ai në fakt është duke më treguar se ka gatishmëri për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Erdogan.

“Kjo ka qenë përshtypja ime, sepse mënyra si po ecin gjërat është goxha problematike”.

Ai ka thënë se “200 pengje” do të këmbehen shpejt mes dy palëve.

Megjithatë, nuk ka dhënë detaje tjera për këtë gjë.

Turqia është vend anëtar i NATO-s, por ende mban lidhje të ngushta me Moskën dhe Kievin.

Ky vend ka ndërmjetësuar një marrëveshje për të mundësuar daljen e grurit nga Ukraina drejt pjesës tjetër të botës.

Ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë në fillim të muajit shtator, për të rikthyer kontrollin në territoret e pushtuara nga forcat ruse, prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt.

Ushtria ukrainase pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 8.000 kilometrave katrorë në rajonin e Harkivit, prej nisjes së kundërofensivës.

Ushtria ruse ka thënë se trupat e saj janë tërhequr nga Harkivi për t’u rigrupuar.

Megjithatë, ekspertët besojnë se Rusia ka përdorur arsyetim të njëjtë edhe kur ka dështuar që të fitojë kontrollin e Kievit, disa javë pas nisjes së luftës, dhe për pasojë është tërhequr nga ai rajon.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

(REL)