Ankara, 28 maj 2023 – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të dielën se populli turk i ka dhënë atij përgjegjësinë për të qeverisur në pesë vjetët e ardhshme, duke shpallur fitoren në rundin e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale.
Duke folur para mbështetësve të tij në Stamboll, Erdogan, që e ka udhëhequr Turqinë për dy dekada, falënderoi qytetarët që votuan dhe tha se me votën e tyre, ai ka mposhtur në zgjedhje kundërkandidatit nga opozita, Kemal Kilicdaroglu.
Gjatë fjalimit të tij, Kemal Kilicdaroglu, nuk pranoi humbjen në zgjedhje, por dënoi “qeverisjen autoritare” të Erdoganin dhe tha se zgjedhjet ishin të padrejta.
“Duhet ta dini se ne do të ngrihemi kundër vështirësive që na presin”, tha ai.
Ai falënderoi 25 milionë turq që votuan për të dhe kërkoi nga mbështetësit e tij në Ankara që të “ngriheni në këmbë dhe të ecni me krenari”.
Numërimi i votave për zgjedhjet presidenciale turke po vazhdon.
Kryetari i Këshillit Suprem Zgjedhor të Turqisë, Ahmet Yeren, tha se presidenti Erdogan, po prin në rundin e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale.
Sipas tij, me numërimin e 54.6 për qind të votave, Erdogan ka fituar 54.47 për qind. Ndërkaq, Kilicdaroglu, ka fituar 45.53 për qind të votave.
Ndërkaq, agjencia e lajmeve Anka, që është e afërt me opozitën, raportoi se Erdogan ka fituar 51.9 për qind të votave, ndërkaq Kilicdaroglu 48.1. Kjo agjenci tha se këto shifra i referohen 98 për qind të votave të numëruara.
Mbi 60 milionë persona kishin të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës.
Qendrat e votimit për rundin e balotazhit u hapën në orën 08:00, sipas kohës lokale, dhe u mbyllën në orën 17:00.
Sipas Anadolut, dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve është 4 për qind se në rundin e parë, përkatësisht 84-85 për qind.
Mbi 400.000 vullnetarë nga partitë opozitare kanë monitoruar procesin e votimit dhe të numërimit të votave.
Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën më 14 maj, Erdogan doli i pari, duke fituar 49.5 për qind të votave, ndërkaq Kilicaroglu arriti të merrte 44.9 për qind të votave.
Kjo ishte hera e parë në 20 vjet sa është në pushtet që Erdogan nuk fitoi zgjedhjet në rundin e parë.
Pas votimit në rundin e balotazhit, Kemal Kilicdaroglu, u bëri thirrje votuesve “që ta largojmë këtë regjim autoritar”.
“Unë ju urdhëroj që ta heqim këtë regjim autoritar…. Ftoj të gjithë qytetarët e mi që të votojnë”, tha ai pasi votoi në Ankara.
Ndërkaq, Erdogan bëri thirrje “për një pjesëmarrje në zgjedhje, pa ankesa”, pasi votoi me bashkëshorten e tij, Eminen në Stamboll.
Deklarata të ngjashme të dy kandidatët bënë edhe një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Opozita i ka parë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të majit, si mundësinë më të mirë për të rrëzuar nga pushteti Erdoganin dhe për të hequr dorë nga ndryshimet që presidenti turk ka bërë në shtet.
Dy kandidatët përqendruan fushatën për balotazh në përpjekjet për të bindur rreth 8 milionë votues, që nuk votuan në rundin e parë të zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e 14 majit, përveç zgjedhjeve presidenciale, u mbajtën edhe ato parlamentare, dhe partia e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) fitoi shumicën parlamentare.
Më herët gjatë kësaj jave Erdogan e mori mbështetjen e Sinan Oganit, politikanit nacionalist që doli kandidati i tretë në rundin e parë. Ogan, që tha se do ta mbështesë Erdoganin në balotazh, në rundin e parë të zgjedhjeve arriti të merrte 5.2 për qind të votave.
Kilicdaroglu, që është kryetar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Popullore Republikane (CHP), arriti të fitonte mbështetjen për balotazh të Partisë Fitorja, që ka qëndrime kundër migrantëve.
Zgjedhjet presidenciale turke jo vetëm që do të përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Turqinë – shtetin anëtar të NATO-s me 85 milionë banorë – por edhe si do të udhëhiqet shteti, cilin drejtim do të marrë ekonomia e cila është goditur nga kriza e kostos së jetesës, dhe do të formësojë politikën e jashtme.
Një fitore për Erdoganin do të mundësonte vazhdimin e qeverisjes së këtij lideri që ka transformuar Turqinë, duke riformuar shtetin laik të themeluar 100 vjet më parë për ta përshtatur me vizionin e tij për një shtet më fetar. Humbja e tij po ashtu do t’i jepte fund rrugës e më autoritare të Qeverisë së tij.
Kilicdaroglu ka premtuar se ai do të ndryshojë drejtimin e ekonomisë nëse fiton zgjedhjet. Ai po ashtu ka thënë se dëshiron të ndryshojë sistemin politik dhe ta kthejë shtetin në sistem parlamentar. Kilicdaroglu po ashtu ka premtuar se do të rivendosë pavarësinë e gjyqësorit.
(REL)