Erdogan: Turqia dhe Shqipëria, si aleatë në NATO, kontribuojnë në paqen në Ballkan

Ankara, 20 shkurt 2024 – Presidenti turk Recep Tayip Erdodan ka thënë se Turqia dhe Shqipëria janë dy anëtarë të aleancës së NATO-s që luajnë rol në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

“Turqia dhe Shqipëria janë dy aleatë në NATO që kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka thënë Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Ankara.

Ai ka thënë se Turqia dhe Shqipëria do të vazhdojnë bashkëpunimin lidhur me paqen e stabilitetin në Ballkan, si edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Do të vijojmë dialogun dhe bashkëpunimin lidhur me Ballkanin, Po ashtu në fushën e sigurisë së mbrotjejs dhe ushtarake”, ka thënë Erdogan, citon abcnews.al.

Rama, nga ana e tij, e ka vlerësuar interesimin e Erdoganit për situatën në Ballkan dhe për procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë.

“Si gjithmonë, e kam gjetur Presidentin të interesuar me gjithë zemër për ecurinë e rajonit tonë, për ecurinë e dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe dëshirën e tij që progresi dhe paqja në rajon të jenë çdo ditë e më të forta”, ka thënë Rama.

Edhe ai, sikurse Erdogan, e ka shprehur interesin e Shqipërisë për zgjerimin e bashkëpunimit me Turqinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Kemi bërë progres dhe jemi vullnet-plotë për të bërë edhe më shumë progres në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, ka thënë Rama.

Erdogan e Rama kanë folur edhe për luftën në Ukrainë dhe për luftën midis Izraelit e Hamasit në Rripin e Gazës. Erdogan e ka vlerësuar votimin e Shqipërisë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për një armëpushimi të menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës. Ai ka thënë se me këtë akt Shqipëria u pozicionua “në anën e duhur të historisë” dhe ka theksuar se solidaritet me “popullin e shtypur palestinez” është thelbësor në këtë periudhë.

Presidenti turk ka thënë se Turqia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të ngushta. Ai ka thënë se me Ramën janë pajtuar se nuk do të lejojnë që këto marrëdhënie të cenohen nga organizata FETO dhe është zotuar për luftimin e kësaj organizate.

“Ne nuk do t’i japim mundësi rrjetit të ligë që përpiqet në çdo mënyrë të helmojë marrëdhëniet tona. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë”, është shprehur ai.

Erdogan dhe Rama e kanë vlerësuar zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis Turqisë dhe Shqipërisë.Erdogan ka thënë se qarkullimi tregtar, i cili aktualisht ka arritur 1 miliard pritet të dyfishohet së shpejti.

(r.m.)