Erdogan: Turqia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ankara, 1 mars 2022 – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij e përkrah anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Turqia si vend i rëndësishëm i NATO-s nuk shikon asnjë gjë që nuk shkon për sa i përket anëtarësimit të Kosovës këtu. Për ta mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO s’kemi nevojë për të marrë leje nga askush. Ne i kemi ndërmarrë hapat tonë. Ashtu siç ndërmorën në rastin e njohjes, ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovë në NATO”, tha presidenti turk, në një konferencë për media në Ankara, pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Erdogan tha se Turqia ka qenë vendi i dytë, pas Amerikës, që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai tha po ashtu se Turqia ka kontribuar mjaft shumë në procesin e pavarësisë dhe vazhdon të lobojë për njohjen e shtetit të Kosovës.

“Siç e dini, sa i përket çështjes së njohjeve për Kosovën hapi i parë u hodh nga ShBA-ja që ishte shteti i parë që e njohu. Unë atëherë isha kryeministër dhe ishim duke mbajtur mbledhjen e qeverisë dhe sapo e morëm njoftimin vendi i dytë që e njohu pavarësinë e Kosovës ishim ne Turqia. Po ashtu edhe në procesin e njohjeve në vijim për Kosovën i ndërmorëm të gjitha hapat. Unë në atë kohë si kryeministër bashkë me ministrat nëpërmjet takimeve dhe kontakteve me homologë e përshpejtuam procesin e njohjeve për Kosovën dhe ende vazhdojmë ta ndjekim këtë proces. Në të njëjtën mënyrë vazhdojnë takimet dhe kontaktet tona për të sjellë njohje të reja nga vendet që nuk e kanë bërë. Vjosa Osman,i në takimin që e patëm, më dha emrat e disa vendeve për të siguruar njohje të reja të Kosovës dhe urojmë që të kemi njohje të reja”, tha Erdogan.

Ptresidentja Osmani e vlerësoi mbështetjen e Presidentit Erdogan për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Kosova duhet të anëtarësohet në NATO, ku Turqia ka rol të rëndësishëm dhe e falënderoj presidentin Erdogan për punën në këtë drejtim. Në kuadër të NATO-s, Turqia mund të bëjë shumë duke i dhënë përkrahje Kosovës”, tha ajo.

Presidentja Osmani theksoi se Turqia ka qenë ndër aleatët që asnjëherë nuk e ka lënë vetëm Kosovën.

“Ndër aleatët që kurrë nuk na e ka kthyer shpinën, që nga çlirimi e deri më sot, ka qenë Republika e Turqisë”, tha ajo

“Të jeni të sigurt se populli i Kosovës është ai që ju respekton për gjithçka që keni bërë për ne”, theksoi Presidentja Osmani.

Ajo i cilësoi shumë të mira marrëdhëniet midis Kosovës e Turqisë, duke e vlerësuar sidomos rolin e që kanë luajtur shqiptarët e Turqisë dhe komuniteti turk në Kosovë në thellimin e këtyre marrëdhënieve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me ceremoni shtetërore nga presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, me  ftesë të të cilit e viziton Turqinë.

(r.m.)