Erdogan: Turqia mbështet anëtarësimin e Kosovës në KE, BE dhe NATO

Stamboll, 3 shkurt 2023 – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia do të vazhdojë të lobojë për njohjen e shtetit të Kosovës si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Erdogan e ka bërë këtë deklaratë të premten, në Stamboll, pas takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Atë kohë, kam qenë duke drejtuar mbledhjen e kabinetit dhe ma komunikuan që SHBA-ja e kishte njohur si vendi i parë, dhe thashë se ne do të jemi vendi i dytë që e njohim Kosovën. Qoftë e hajrit. Është domethënëse kjo. Tani janë 117 shtete që e njohin. Ne do të bëjmë punë intensive që të arrijmë shifrën që është si objektiv sa i përket njohjeve. Dua t’iu uroj 15-vjetorin e Pavarësisë që tani. Ne po vazhdojmë përpjekjet për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare. Mbështesim Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO”, ka thënë ai.

Erdogan ka thënë gjithashtu se turqie e mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe ka shprehur gatishmërinë të ofrojë mbështetjen e saj, në qoftë se kjo i kërkohet.

“Ne e mbështesim dialogun dhe presim që palët të demonstrojnë qasje paqësore e konstruktive. Shpresoj që dialogu të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon. Turqia është gati të ofrojë ndihmën e saj për paqen në rajonin tonë, nëse i kërkohet nga palët . Do të marrim hapa për të fortifikuar marrëdhëniet tona me vëllezërit kosovarë”, ka theksuar Erdogan.

Presidenti turk e ka vlerësuar marrëveshjen e tregut të lirë mes dy vende. Ai ka treguar se objektiv i Turqisë është rritja e eksporteve në Kosovë. 

“Ne eksportojmë në Kosovë mbi 610 milionë euro në vit. Duhet ta rrisim vëllimit e eksporteve në 1 miliard”, ka thënë ai.

Erdogan ka folur edhe për investimet e Turqisë në Kosovë dhe ka premtuar se vendi i tij do të vazhdoje të realizojë në Kosovë projekte me interes për qytetarët.

Presidenti turk ka premtuar mbështetjen e Turqisë edhe për qytetarët e dëmtuar nga përmbytjet e para dy javëve në disa komuna të Kosovës.

“Shpreh keqardhjen time për fatkeqësinë e përmbytjeve dy javë më parë në Kosovë. Duam të jemi përkrah vëllezërve kosovarë, si gjithmonë. Jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen e nevojshme, për të lehtësuar pasojat e fatkeqësisë së përmbytjeve”, ka thënë Erdogan.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidentin Erdogan e ka falënderuar për mbështetjen e Turqisë për Kosovën.

“E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të dyjat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës”, ka deklaruar Kurti.

“Jemi gjithmonë mirënjohëse për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin dhe paqen në vend; për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve; shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Republikës sonë; dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme”, ka shtuar Kurti.

Ai ka treguar se me presidentin Erdogan kanë biseduar për marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve dhe për mundësitë e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit me interes të dyanshëm.

“Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes’, ka thënë ai.

“Turqia është ndër partnerët tanë kryesorë ekonomik dhe tregtar. Kjo na gëzon, por nuk duhet të na mjaftojë. Le ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për ta arritur potencialitetin e madh të tij”, është shprehur Kurti.

Ai e ka vlerësuar rolin e komunitetit turk në Kosovë në forcimin e lidhjeve me Turqinë dhe kontributin e tyre për zhvillimin e Kosovës.

“Në Kosovë kemi komunitetin turk, i cili ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, por jo vetëm. Komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Sot, përfaqësues të këtij komunitetit janë kudo në institucionet qendrore e lokale të Republikës së Kosovës, duke dhënë kontributin e tyre për një Kosovë më të mirë, e për mirëqenie më të lartë”, ka theksuar ai.

Kurti e ka vlerësuar edhe rolin e qytetarëve të Turqisë me origjinë nga Kosova për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

“Qytetarët e Republikës së Turqisë me origjinë nga Kosova po ashtu kanë luajtur një rol të veçantë, me kontributin e tyre përgjatë historisë së Turqisë. Ata edhe sot janë një komunitet shembullor dhe i suksesshëm në Turqi. Bashkëjetesa është vlerë e të dy vendeve tona. Komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi, janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona. Bazën e kemi të mirë. Lidhjet e forta. Vullnetin e madh. Andaj, le të angazhohemi për më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë shkëmbim”, ka theksuar ai.

Kryeministri Kurti ka shprehur kënaqësinë që me Presidentin Erdogan është takuar në Stamboll. Ai ka thënë se në këtë qytet ka nisur “një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”.

“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të presidentit Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit – kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash. Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shekullit të 16-të, e deri te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte qendër graviteti edhe për popullin tonë. Për ne Samiu është ndër etërit e Rilindjes sonë Kombëtare, për popullin turk konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, ku student ishte Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban sot Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”, është shprehur kryeministri Kurti.

(r.m.)