Prishtinë, 7 qershor 2024 – “Sa herë që vij në Ballkan e ndiej atë ngrohtësi dhe unë vazhdoj të shkruaj për kulturën shqiptare. Pastaj, ndoshta është pak keq për t’u thënë, por mendoj se francezët nuk e njohin edhe aq mirë kulturën shqiptare”.
Kështu ka thënë shkrimtari francez, Éric Faye, të enjten në Prishtinë, në përurimin e dy librave të tij në shqip – “Parij” (1997) dhe “Nagasaki” (2010) – të botuar nga shtëpitë botuese “Buzuku” dhe “Skanderbeg Books”.
Lidhja e Éric Faye me shqiptarët dhe me Kosovën është e kahershme. Kjo është hera e dytë që ai qëndron në Kosovë. Herën e parë ka qenë në vitin 1977, por prej atëherë, kur, siç tha, “e pa me sytë e një fëmije botën shqiptare”, s’iu nda asnjëherë asaj.
Ngjarjet në Kosovë i kundronte me syrin e gazetarit, pasi e ushtroi gjatë këtë profesion, kurse tani rikthehet si shkrimtar i afirmuar, si fitues i çmimeve të ndryshme për letërsi.
“Datat e marsit dhe prillit të vitit 1981 janë të shënuara në kujtesën time të një ecjeje të vështirë dhe të dhimbshme deri në pavarësi. Mendoj që më shumë se gazetaria është ajo letërsia, e cila ka pushtetin që të na bëjë të reflektojmë për fatin e popujve dhe t’i kuptojmë aspiratat e tyre”, ka thënë Faye.
Ai ka thënë se është i lumtur që është ftuar si mysafir nderi i Panairit të Librit në Prishtinë. Po ashtu, ka shprehur kënaqësinë që Kosovën tani e sheh shumë më ndryshe dhe ka shfaqur shpresën se Kosova do të integrohet në Evropë politikisht e kulturalisht.
“Falë librit jam edhe unë këtu dhe kam fatin që të marr pjesë në këtë sallon të librit e të takoj lexues dhe studentë, të njoh më mirë një Kosovë, e cila ka ndryshuar shumë gjatë këtyre dekadave. Aeroplani me të cilin erdha sot në mëngjes nga Parisi ma kujtoi që kontinenti evropian është shumë i vogël dhe shpresoj shumë që Kosova të integrohet më shumë në institucionet e Evropës”, kishte thënë Faye, autor i rreth njëzet veprave letrare.
Shkrimtari e diplomati shqiptar Besnik Mustafaj dhe shkrimtari e botuesi Abdullah Zeneli kanë folur për kontributin e Faye në letërsi dhe në promovimin e kulturës shqiptare.
“Qysh nga viti 1989 ai ka marrë nga koha e tij që t’i vihet në shërbim Kadaresë, mendësisë dhe kulturës shqiptare. Secila vepër e ka një ese paraqitëse të shkruar nga Faye, që së bashku bëjnë qindra faqe e qindra orë që ai ia ka kushtuar opusit letrar të Kadaresë dhe pastaj ka shkruar për to. Pa qenë fare biograf i Kadaresë, ai është njeriu që e ka bërë atë më të lexueshëm, më të kuptueshëm në kontekstin e kulturës dhe historisë së Shqipërisë”, ka thënë Mustafaj.
Ai ka thënë se prania e Fayes në Panairin e Librit në Prishtinë është shumë domethënëse për letërsinë e kulturën shqiptare.
“Organizatorët e këtij panairi ia kanë bërë një nder lexuesit kosovar, ia kanë bërë një nder panairit, ndërkaq Faye ua ka bërë një nder të gjithëve duke e pranuar ftesën dhe duke mbledhur mbresat nga kjo ngjarje, dhe duke u njohur personalisht me pjesëmarrësit në këtë Panair”, ka thënë Mustafaj.
Éric Faye, i njohur në letërsinë botërore si mjeshtër i përthyerjes së reales dhe imagjinatës në librat e tij, për lexuesit kosovarë ka zbërthyer shkurtimisht përmes disa pyetjeve edhe përmbajtjen e “Parij’ dhe “Nagasaki”.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ia ka dorëzuar autorit francez një shqiponjë të gdhendur në dru, si mirënjohje për lidhjen e tij me botën shqiptare.
Librat e Éric Faye në gjuhën shqipe janë në mesin e mijëra botimeve që prezantohen në Panairin e Librit në Prishtinë. Organizatorët thonë se në edicionin e sivjetmë të panairit prezantohen rreth dy mijë tituj të rinj të rreth 100 shtëpive botuese shqiptare.
(r.m.)