Erion Veliaj u mor në pyetje në SPAK si pjesë e hetimeve për korrupsion

Tiranë, 26 dhjetor 2024 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të enjten, u mor në pyetje për 5 orë në Prokurorinë e Posaçme.

Pas daljes nga SPAK, Veliaj nuk shpjegoi për çfarë është pyetur. Ai tha se do të jepte informacione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

“Do t’ju shpjegoj nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës”, u shpreh ai për gazetarët.

Erion Veliaj mbërriti në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 09:00 dhe doli rreth orës 14:00.

Sipas gazetares, Klodiana Lala, kryebashkiaku Veliaj u mor në pyetje si person në dijeni në kuadër të hetimit që po zhvillohet ndaj tij për korrupsion pasiv, ndërsa më herët është marrë edhe dëshmia e bashkëshortes, Ajola Xoxa.

 “Erion Veliaj është larguar nga ambientet e SPAK, ku dha shpjegime si person në dijeni në kuadër të hetimeve ndaj Veliajt dhe familjarëve të tij për dyshimet për korrupsion pasiv. Po ashtu hetimi pasuror që po kryhet nga SPAK. Veliaj nuk shoqërohej nga avokat, kjo do të thotë se është thirrur vetëm si person në dijeni”, raportoi gazetarja Lala.

Kujtojmë që më 6 Dhjetor, Prokuroria e Posaçme dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit sekuestruan telefonin e Ajola Xoxës.

Atëherë Veliaj kishte thënë se e mirëpriste çdo hetim ndaj tij apo familjarëve.

“Hetimi pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap”, kishte shkruar ai në rrjetet sociale.

Veliaj kishte deklaruar se ai dhe familjarët e tij, do jenë gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë.

“Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve”, kishte shkruar Veliaj.

Më 6 dhjetor, me vendim të GJKKO, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka marrë autorizimin të kontrollonte telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt.

Agjentët e BKH shkuan në banesën ku jeton Veliaj në orët e para të mëngjesit, për të kontrolluar telefonin e bashkëshortes se tij. Bëhet me dije se BKH nuk ka kryer kontroll të banesës, por e ka zbatuar vendimin e gjykatës për ta këqyrur telefonin e bashkëshortes së Veliajt.

(r.m.)

Comment

*