Nga Qerim Vrioni
Para disa kohësh u zhvillua në vendin tonë konkursi vjetor ndërkombëtar i fotografisë “Fokus Award 2024”. Kësaj rradhe, veprimtaria, e cila e ka zanafillën e saj para 15 vitesh në Fier, filloi në Tiranë dhe përfundoi po në Fier, së pari në Galerinë “Vilson Kilica”, mandej në Teatrin “Bylis”, ku u shpallën fituesit. Fillimisht ky konkurs kishte karakter më tepër lokal. Më vonë, vit pas vitesh e hap pas hapi, shtoi kërkesat estetike ndaj pjesëmarrësve dhe zgjeroi hapësirën gjeografike të tyre, duke e kthyer këtë në konkurs ndërkombëtar. Po ashtu, kjo veprimtari mbetet, tani për tani, gara e vetme për krijimet e fotografëve në vendin tonë. Përmendim me këtë rast konkursin fotografik “Çmimi Gjon Mili”, që zhvillohet me sukses çdo vit në Prishtinë, në fillim të vjeshtës dhe organizohet nga Galeria e Arteve të Kosovës ashtu siç organizohej disa vite më herët konkursi “Marubi” nga Galeria Kombëtare e Arteve të Tiranës.
Mund të thuhet se konkursi “Fokus” tashmë ka arritur një nivel të kënaqshëm artistik. Meritat për zhvillimin e “Fokus Award 2024” iu takojnë së pari organizatorëve; drejtorit artistic dhe ideuesit Arben Alliaj, menaxherit Saimir Ahmeti dhe kuratorit Elton Koritari. Konkursi kishte temë kryesore “Prek me sy” që kishte dhe “Çmimin e Madh” dhe katër kategori: 1. Shtypi, 2. Peizazhi 3. Jeta dhe 5. Njerëzit.
Tema “Prek me sy”, duke nënkuptuar, prek me shikim, që krijonte para fotografëve hapësira të gjera për kapje imazhesh mbresëlënëse, gjetje e mirë goditur e organizatorëve të tij. Me “Çmimin e Madh” të konkursit u nderua një foto e ish-fotografit të njohur të ATSH-së (Agjensia Telegrafike Shqiptare), Ernest Baba. Të gjithë anëtarët e jurisë, midis tyre edhe nga shtete të tjera, e votuan njëzëri përzgjedhjen e fotos fituese të Çmimit të Madh të “Fokus Award, 2024”. Madje edhe titulli i saj ishte “Prek me sy” (“Touch with eyes”). Me këtë rast shtojmë se Ernesti i kushtoi, shumë i prekur edhe fjalët e para gjatë ceremonisë së marrjes së “Çmimit të Madh” në natën finale, djalit të tij të vetëm, Kristit, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta para 3 vitesh (14 tetor 2021) në moshën 30-vjeçare. Kristi, ishte një piktor i ri shumë i talentuar, i cili kishte kryer me sukses studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, madje kishte hapur edhe një ekspozitë vetjake mjaft të arrirë. Fati i keq ia preu ëndrrat e mëdha e të bukura këtij artisti të ri, prindëve të tij dhe miqve të shumtë.
Ernest Baba, i lindur në Tiranë, por me origjinë nga Shkodra, e kishte të atin, Rrok Baba, mjeshtër të talentuar të punimit të filigranit, ndërsa vëllai i tij më i madh, Nikolin Baba, është fotograf i njohur. Ky i fundit, është i dalluar sidomos për albumin “Arti Popullor Shqiptar” (shtypur në Kinë) dhe korpusin fotografik me veshjet popullore shqiptare, të botuar në pesë vëllime. Pra, mjedisi ku u rrit ai nuk ishte shumë larg trajtimit të imazheve dy dhe tri përmasore në fushën e arteve pamore.
Pas mbarimi të Liceut Artistik për pikturë, Ernesti u punësua si specialist në laboratorin optik të Ministrisë së Mbrojtjes dhe së fundi, më 1987, në ATSH, pranë fotoreporterëve të njohur të kohës si Petrit Kumi, Gani Xhengo, Petrit Omeri etj. Përmendim se, në një farë mase, atëherë ATSH-ja, shërbeu edhe si një “shkollë” pa program mësimor për fotografët e rinj në përvetësimin e mjeshtërisë dhe teknologjisë së fotografimit. Aty, Ernesti u shqua për përkushtim dhe aftësi profesionale, madje ai bashkëpunoi ngushtë edhe me fizikantin e njohur të Universitetit të Tiranës, prof.Kostandin Leka. Ky ishte shquar për zotërimin dhe përhapjen në vendin tonë të proceseve të reja teknologjike të “dhomës së errët”. Madje profesori i nderuar shkruan rreth dy faqe në një libër të tij vetëm për Ernestin. Shkëpusim këtë opinion nga libri për punën e Ernestit: “Unë kam pasur rastin të punoj gjatë me Ernestin dhe “të ndjej” mirë, jo vetëm aftësitë, por edhe dashurinë e madhe që ai ndjente për fotografinë” (K.Leka -“Një jetë në shtjelljet e krijimtarisë”, Tiranë, 2013, f.271). Ndërkohë, Ernesti merr pjesë në disa seminare për fotografinë edhe jashtë vendit si në Itali (Romë dhe Milano) duke zbatuar mandej me sukses në punët e përditëshme mësimet teorike dhe praktike të tyre.
Nuk duhet lënë pa përmendur pjesëmarrja e Ernestit me foto në disa ekspozita të organizuara nga ATSH-ja para dhe pas viteve ‘90, në veçanti ajo e hapur në bashkëpunim me agjensinë e njohur franceze të lajmeve AFP, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë në vitin 2011. Gjithashtu, ai është paraqitur me foto të goditura në disa edicione të konkursit “Fokus” në Fier, tek “Ditët e fotografisë në Pogradec 2017”, gjatë veprimtarisë “Gjon Mili-Photography Days”, Korçë, 2018-2019 dhe në festivalin e fotografisë “Punctum” në Gostivar të Maqedonisë së Veriut, 2022-2023. Ia vlen të shtojmë edhe punën e tij të kujdesshme në printimin në formate 50×60 cm, të fotove me ngjarje të viteve 1998-99 në Kosovë të fotoreporterit prishtinas Ilaz Bylykbashi. Ekspozita me këto foto u hap në vitin 2002, në Kosovë dhe në Gjermani.
Në prill të vitit 2018, me rastin e daljes në pension të fotografit Ernest Baba, ATSH-ja, organizoi në mjediset e COD-it, pranë Kryeminstrisë ekspozitën retrospektive të tij me titull “Fokus”. Aty përfshiheshin fotot më të zgjedhura nga krijimtaria e gjatë si fotograf e Ernest Babës. Kjo ekspozitë u ndoq me mjaft kureshtje nga publiku dashamirës i fotografisë dhe media. Ajo u shoqërua edhe me një ceremoni-koktej të veçantë për nder të punës së tij pranë institucionit. Dalja në pension nuk ia shkëputi lidhjet me fotografinë, siç u cek edhe më sipër, madje ai vazhdon të fotografojë thuajse çdo ditë subjektet që e tërheqin e që pasqyrojnë njeriun në përditshmërinë e tij, por edhe peizazhe urbane të studiuara.
Nga fundi i periudhës së punës pranë ATSH-së, Ernesti u mor me përkujdesje të madhe edhe me arkivin, fondin fotografik të institucionit, i cili përfshin dokumentimin me foto të një pjese të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Arkivi fotografik i ATSH-së, përbën sot, por sidomos në të ardhmen e vendit, një “minierë ari” për historianët, urbanistët, publicistët, arkitektët, shkrimtarët e të gjithë studiuesit.
Fotoja fituese “Prek me sy” e Ernest Babës, paraqet një skenë nga jeta e rrugës, një invalid me paterica i cili ka ndaluar pak çaste dhe po vëren manikinat brenda vetrinës së një dyqani, dy këmbë plastike të një modeleje.. Ajo është shkrepur, siç është shprehur në një intervistë në TV vetë Ernesti, nga dritarja e shtëpisë së tij në kohën e pandemisë së Covid 19, kur kishte kufizim qarkullimi. Ernesti, si një “gjahtar race” shpesh mbante aparatin në duar dhe vështronte nga dritarja për të kapur skena të veçanta nga rutina e kalimtarëve, gjithmonë në padijeni të tyre. Ai ka realizuar nga dritarja e tij shumë foto ato kohë sa me to, mund të hapi një ekspozitë të gjinisë “fotografia e rrugës” (street photography).
Fotoja jonë është bardhë e zi dhe shkrepur në një ditë pa diell. Fotoja e godit shikuesin me dramën e përhershme të invalidit, një skenë shprehëse të së cilës ka kapur në këtë shkrepje fotografi ynë. Subjekti i fotos hap disa shtigje të shumta interpretimi ndjesore dhe të menduari, gjithmonë njerëzore. Pra, mendojmë se edhe vendimi i jurisë ndërkombëtare ishte plotësisht i goditur.
Dikush mund të jetë habitur me emrin e fituesit të “FokusAward 2024”, sepse Ernest Baba, përveç se njeri me natyrë shumë paqësore mbetet edhe si ikonë e modestisë, sepse ai nuk ka “profil të lartë publik”. Ai ka profil të lartë, siç u shtjellua edhe më sipër, në nivelin e krijimtarisë dhe punës së tij në lëmin e fotografisë me të cilën ai ka lidhur pazgjidhshmërisht jetën e tij, çka e tregoi edhe nderimi me “Çmimin e Madh” të “Fokus Award 2024”.
(Gazeta “ExLibris”, 19 tetor 2024)