Escobar arrin në Shkup, në vlugun e debatit për ndryshimet kushtetuese

Shkup, 23 gusht 2023 – I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të arrijë për vizitë në Maqedoninë e Veriut të mërkurën, ka bërë të ditur kabineti i presidentit maqedonas, Stevo Pendarivski.

Diplomati amerikan do të takohet në Shkup edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, dhe me liderin e opozitës maqedonase, kryetarin e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Diplomati i lartë amerikan do të arrijë në Shkup një javë pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar procedura për ndryshime kushtetuese, me të clat bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutë.

Ndryshimet janë të nevojshme për vazhdimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian .

Në seancën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, më 18 gusht, u debatua për iniciativën për ndryshimin e Kushtetutës, por iniciativa nuk u hodh në votim para se të sigurohet se ajo do tëvotohet nga dy të tretat e deutetëve.

Ndryshimi i preambulës së Kushtetutës maqedonase parashihet në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe çështjet historike.

Marrëveshja bazohet në atë që njihet si “propozimi francez”, që ishte miratuar në kuvendet e të dyja shteteve.

Por, nëse ndryshimet nuk miratohen, atëherë bisedimet nuk do të mund të vazhdojnë, pasi Sofja mban të drejtën e vetos, të cilën e kishte përdorur në nëntor të vitit 2020.

Qeveria pretendon se e ka mbështetjen e 72 deputetëve dhe se i duhen edhe tetë të tjerë për një shumicë prej dy të tretash apo 80 nga gjithsej 120 deputetë sa ka Parlamenti maqedonas.

Në muajin korrik, diplomati amerikan Escobar tha në një debat për Ballkanin Perëndimor para nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan se “SHBA-jae mbështet procesin për ndryshimet kushtetuese që do ta lejonin Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në BE”.

Ai tha se po punonte edhe me Qeverinë e re të Bullgarisë që të mos bëjë kërkesa të reja.

Opozita maqedonase nuk i mbështet këto ndryshime me arsyetimin se “pala bullgare do të paraqesë kushte të reja që do të jenë të dëmshme për interesat maqedonase”.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, e pyetur për qëndrimin e saj në lidhje me procesin e ndryshimeve kushtetuese, tha se “nuk i takon asaj të flasë për këtë, por qytetarët duhet t’ia bëjnë të ditur politikanëve se duan të jenë pjesë e BE-së”.

(REL)