Escobar: Asociacioni duhet të formohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës

Uashington, 3 shkurt 2023 – I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për strategjinë amerikane të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për “The Pavlovic Today”, Escobar ka përsëritur se politika amerikane është e qartë se cak kryesor në këtë proces duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

“Politika jonë ka qenë shumë e qartë… Ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të normalizuar marrëdhëniet. Për ne, qëllimi përfundimtar, i rëndësishëm, duhet të jetë njohja reciproke. Ne mendojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëri-tjetrin, duhet të heqin barrierat në tregti, duhet të ndihmojnë në zgjidhjen e disa problemeve të pazgjidhura të mbetura nga vitet ’90 dhe të ecin pëpara drejt integrimit evropian”, ka thënë Escobar.

Ai ka folur edhe rreth planit franko-gjerman, i cili mbështetet edhe nga SHBA-ja, dhe ka shfaqur shpresën se të dyja vendet do ta pranojnë atë.

“Para së gjithash, ne mendojmë se dialogu ka një plan të mirë. Ne mendojmë se propozimi franko-gjerman, të cilin ne e mbështesim, është një hap i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve. Është një udhërrëfyes i mrekullueshëm. Shpresojmë që të dyja palët ta pranojnë dhe të fillojnë menjëherë zbatimin e tij”, ka thënë ai.

Escobar ka thënë se të dy palët duhet t’i zbatojnë tëgjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, në Bruksel, por e ka vënë thekson te Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duke theksuar se Kosova duhet ta formojë Asociacionin.

“Pikësëpari, vizioni ynë ka qenë gjithmonë konsistent që nga pavarësia (e Kosovës). Kosova do të jetë një vend i pavarur, sovran, një demokraci multietnike brenda kufijve të saj aktual. Ky është ende vizioni ynë. Tani, në kuadër të këtij konstrukti, ekziston një marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel e cila flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është një detyrim ligjor ekzistues. Pra, kjo është arsyeja pse çdo marrëveshje e ardhshme do ta përfshijë atë. Edhe propozimi aktual franko-gjerman e përfshin atë”, ka thënë ai.

Por, Escobar ka theksuar gjithashtu se Asociacioni duhet të formohet në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës, duke përjashtuar ndonjë model si Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

“Qëndrimi ynë është se duhet të jetë diçka që nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës, diçka sipas ligjeve të Kosovës, që nuk krijon probleme për funksionalitetin e Kosovës. Me fjalë të tjera, asnjë model i ‘Republikës Serbe’. Tani, për mendimin tim, ai (Asociacioni) e ndihmon Kosovën të marrë përsipër shërbimet dhe çështjet që serbët në veri aktualisht kërkojnë t’i ofrojë Beogradi…. Të gjitha ato shërbime duhet të ofrohen nga Qeveria e Kosovës”, është shprehur Ecobar.

“Nëse Serbia ka ndonjë zë në të (Asociacionin), kjo duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe, përsëri, sipas ligjeve të Kosovës. Pra, ky është vizioni ynë”, ka theksuar ai.

Escobar ka  folur edhe për kompetencat e Asociacionit. Ai ka thënë se Asociacioni do të mundësojë ushtrimin e kompetencave që komunat serbe tashmë i kanë, si: zhvillimi ekonomik lokal, arsimi, shëndetësia, mbrojtja e ambientit dhe planifikimi hapësinor.

(r.m.)