Prishtinë, 14 mars 2024 – I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka cilësuar “çështje emergjente humanitare” çështjen e Rregullores se Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon përdorimin e valutave të huaja, përfshirë dinarin e Serbisë, në operacionet me para të gatshme në Kosovë.
“Askush nuk mund të mos preket kur dëgjon se si pjesa më e cenueshme e shoqërisë nga komuniteti serb po preket nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që e parasheh euron si valutë të vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë”, ka thënë Escobar.
Ai ka thënë se kjo kjo çështje duhet të adresohet pa vonesë.
Escobar ka thënë se për këtë çështje ka biseduar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në takimin e zhvilluar të enjten, pasdite, në Prishtinë. Ai ka thënë se Kurtit ia ka paraqitur disa propozime për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe ai ka premtuar se do t’i shqyrtojë disa prej tyre.
“Kryeministri e pranoi këtë dhe më premtoi se do t’i shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot”, ka thënë Escobar, pas takimit gati dy orësh me Kurtin.
Emisari amerikan ka thënë se SHBA-ja mbetet parnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës, por përsëriti se çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit i ka sfiduar marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës.
“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit që po i bëhet tani minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situate, por rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve të këtij shteti dhe ne jemi shumë të shqetësuar për këtë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje”, ka thënë ai.
Escobar ka thënë se shpreson që pala kosovare do të jetë fleksibile në takimin që do të zhvillohet të martën, më 19 mars, në kuadër të dialogut për noirmalizim të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Duke u përgjigjur në pyetjen nëse SHBA-ja ka një qasje të pabalancuar kundrejt Kosovës, Escobar ka thënë se Uashingtoni ka bërë gjithçka në favor të Kosovës. Ai ka kujtuar se Amerika e ka mbështetur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i ka mbështetur proceset demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri të Kosovës, e ka mbështetur Kosovën pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe e ka mbështetur vendimin për shitjen e sistemeve kundërtanke “Javelin”.
“Si mund të jemi të pabalancuar? Nuk jemi )të pabalancuar). Gjithçka që kemi bërë ka qenë për Kosovën dhe do të vazhdojmë të veprojmë kështu. Por, ne shpresojmë që Kosova do të dëgjojë shqetësimet tona dhe kjo nuk besoj që duhet të jetë shumë e vështirë”, është shprehur ai.
Para se të takohej me Kurtin, të enjten paradite, Gabriel Escobar, e ka vizituar Manastirin e Deçanit dhe Pejën. Në një deklaratë për mediumin në gjuhën serbe Radio Gorazhdevci, ai ka thënë se ka mësuar se një pjesë e kiomunitetit serb, madje pjesa me funerabël, dëmtohen nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon përdorimin e dinarit serb në operacionet me para të gatshme në Kosovë.
Gabriel Escobar ka arritur në Kosovë të mërkuren, kur ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me krerët e tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës dhe me përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës. Pas takimit me Presidenten Osmani, ai u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadrin e dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Emisari amerikan do ta përfundojë vizitën e tij në Kosovë të premten, më 15 mars.
(r.m.)