Escobar e Lajçak kërkuan në Beograd zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse

Beograd, 3 shkurt 2022 – I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thanë të enjten në Beograd se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë tëgjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjithashtu, ata u bënë thirrje tëdyja palëve qëpër përparim të shpejtë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë deklaruar vazhdimisht se janë të gatshëm të shkojnë në Bruksel, kur të jenë të ftuar, si dhe që janë të përkushtuar ndaj procesit.

Ai shtoi se do të dëshironte të shihte “përparim në procesin e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese”.

“Ju kujtohet që pas dy takimeve të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar, ne thamë se donim që takimi i tretë mes Kurtit dhe Vuçiqit të sillte rezultate konkrete. Muajt e fundit kemi punuar për përgatitjen e këtij takimi. Ju nuk keni parë shumë dialog, por ndërkohë ka pasur shumë proces dhe përparim. Sot mund të them se jam optimist. Çështja është se kur do të ndodhë ai takim dhe jo nëse do të ndodhë ai”, tha Lajçak.

Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja nuk është pjesë e dialogut, porse e mbështet dhe është e gatshme të ndihmojë atë.

Ai tha se qëndrimi i SHBA-së është që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të diskutohet dhe theksoi se u takon të dyja palëve që përkëtë të arrijnë pajtim gjatë dialogut.

“Çdo marrëveshje që do të arrijnë, ne do ta mbështesim, financiarisht, politikisht dhe teknikisht”, theksoi Escobar.

Escobar e Lajçak i bënë këto komente në Beograd, pas përfundimit të takimeve me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe me liderë të partive opozitare në Serbi.

Ata patën takime me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me kryeministren Ana Bërnabiq, me ministyrin e Jashtëm, Nikolla Selakoviq, me Kryetarin e Kuvendit, Ivica Daçiq dhe me drejtues të opozitës në Serbi.

(r.m.)