Escobar e Lajçak në Beograd, bënë thirrje për dialog konstruktiv mes Kosovës e Serbinë

Beograd, 2 shkurt 2022 – I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u takuan të mërkurën në mbrëmje në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ata ia përcollën Vuçiqit mesazhin se BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtin vizion për procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë.

“BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë ngushtë së bashku dhe ndajnë të njëjtin vizion për procesin e dialogut dhe për të ardhmen e gjithë rajonit në Bashkimin Evropian”, tha Lajçak në një deklaratë për medie.

Ai tha se përpjekjet e tyre janë përqendruar në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të çonte në normalizimin e marrrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Escobar e Lajçak u bënë thirrje tëdyja palëve për dialog konstruktiv.

Zyra e Presidentit të Serbisë tha se Vuçiq i ka falënderuar dy emisarët për angazhimin e tyre personal në dialogun Kosovë – Serbi dhe ka theksuar se “qasja e tyre pragmatike siguron atmosferë neutraliteti” në këtë dialog.

Sipas njoftimit, Vuçiq i ka fajësuar autoritetet e Kosovës për ngecjen e dialogut. Sipas tij, autoritetet në Prishtinë po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të shmangur përmbushjen e obligimeve të tyre.

(r.m.)