Prishtinë, 31 janar 2022 – I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisën të hënën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i inkurajuar liderët e dy vendeve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Vizita e Escobarit dhe Lajçakut në Kosovë nisi me takimin me Presidenten Vjosa Osmani dhe vazhdoi me Kryeministrin Albin Kurti.
Nga Presidenca e Kosovës njoftohet se Presidentja Osmani u ka thënë dy diplomatëve se Kosova është e përkushtuar në dialogun që në qendër e ka njohjen reciproke.
“Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, citohet të ketë thënë ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se Serbia nuk i ka zbatuar një sërë marrëveshjesh të nënshkruara në Bruksel dhe ka theksuar se ajo pret trajtim të barabartë të palëve në vazhdim të dialogut me Serninë.
“Presidentja, gjithashtu, bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut”, thuhet në komunikatë.
Aty thuhet se Presidentja Osmani e ka theksuar edhe një herë rëndësinë e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë dhe kasi prioritet në dialog.
Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak pritet të takohen edhe me liderët politikë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
Escobar e Lajçak do të udhëtojnë nga Prishtina në Beograd, për të diskutuar lidhur me të njëtat tema edhe me autoritetet e Serbisë.
(r.m.)