Escobar e Lajçak: Nuk do të imponojmë ndonjë model për Asociacionin, askush nuk e do një ‘Republika Srpska’ në Kosovë

Prishtinë, 2 shkurt 2022 – I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, thanë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një konferencë të përbashkët për media, në Prishtinë, në përfundim të vizitës së tyre treditore në Kosovë, Escobar tha se nuk kanë ardhur në Kosovë me propozime të gatshme që duan t’ua imponojnë palëve sa i përket krijimit të Asociacionit. Por, ai ka theksuar se Asociacioni nuk duhet të cenojë sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Nuk duhet të jenë modele që e minojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës. Pra, ne duhet të gjejmë një prej këtyre modeleve. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe palët mund të pajtohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një ose të zgjedhë një model në emër të palëve. Megjithatë, ne mund të ndihmojmë, nëse ka modele që ata do të duan të eksplorojnë”, ka thënë Escobar.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor ka shpjeguar qëndrimin tashmë të njohur të Uashingtonit zyrtar se dialogu Kosovë- Serbi duhet të përfundojë me njohjen reciproke.

“Ne duhet ta tejkalojmë dialogun dhe të arrijm në një pozitë ku të gjitha vendet ta njohin njëri-tjetrin, janë në paqe dhe janë në rrugë drejt integrimit në BE”, ka thënë Escobar.

This image has an empty alt attribute; its file name is Gabriel-Escobar-12.jpg

Ndërkaq, Lajçak ka theksuar se askush nuk e do një “Republika Sërspka” në Kosovë, duke bërë të qartë se SHBA dhe BE nuk mbështesin një strukturë jashtë kuadrit ligjor dhe kushtetues të Kosovës.

“Nëse dëshironi që t’i jepni fund ekzistimit të strukturave paralele, nëse dëshironi transparencë në rrjedhjen e parave, nëse dëshironi sundim të ligjit në veri, kjo mund të bëhet brenda sistemit ligjor dhe kushtetues të Kosovës”, ka thënë Lajçak.

Edhe ai, sikurse Escobar, ka thënë se askush nuk mund të imponojë ndonjë zgjidhje për Asociacionin.

“Këshilla ime, mos u frikësoni nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë! Keni vetëbesim! jeni të vetëdijshëm se jeni bashkëpronarë të këtij procesi dhe ju jeni partnerë të barabartë! Nuk ka asnjë arsye të keni frikë për një proces që po e udhëhiqni së bashku me Serbinë. Ne jemi këtu për t’ju siguruar që çdo vendim të jetë i bazuar në normat, standardet dhe vlerat evropiane”, ka theksuar ai.

Lajçak ka theksuar edhe një herë se  Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë kundër krijimit të një entititeti të serbëve në Kosovë, si Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

“Unë e dëgjoj shpesh shprehjen: ‘Nuk e duam një Republikë Serbe në Kosovë’. Besoj se ne e kemi bërë të qartë shumë herë se askush nuk e dëshiron këtë”, është shprehur Lajçak.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian ka theksuar se në dialogun Kosovë – Serbi nuk negociohet statusi i Kosovës.

“Në dialog negociohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is Miroslav-Lajcak_ne-Prishtine-1.jpg

Escobar dhe Lajçak e vlerësuan si produktive vizitën e tyre në Prishtinë. Ata u takuan medrejtuesit e institucioneve shtetërore dhe me liderët e partive parlamentare në Kosovë.

Nga Kosova ata do të shkojnë në Beograd, ku do të takohen gjithashtu me autoritetet shtetërore e politike të Serbisë.

Vizita e Escobarit e Lajçakut në Kosovë dhe në Serbi ka për qëllim inkurajimin e palëve për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kjo vizitë shpreh qëndrimin e përbashkët të SHBA-së dhe BE-së për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

(r.m.)