Escobar e Lajçak vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme

Bruksel, 25 janar 2022 – I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme.

Lajmin e ka publikuar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme esiguri, Josep Borrell, gjatë konferencës së përbashkët  për medie me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Borrell ka thënë se Escobar e Lajçak do të diskutojnë me palët për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i diplomacisë evropiane ia ka hedhur Kosovës përgjegjësinë për ngecje në procesin e dialogut.

“Dua t’ia bëj të qartë Kosovës se dialogu nuk zhvillohet për shkak të dialogut, por për shkak se është kyç në përparimin në rrugëtimin evropian. Së bashku me Lajçakun do të vazhdojmë të përgatisim takimin e radhës, por kjo do të ndodhë vetëm nëse të dyja palët merren vesh rreth rezultateve pozitive dhe konkrete. Prandaj unë dhe Lajçak do të vazhdojmë të angazhohemi me palët, e posaçërisht me Kosovën, e cila po dëshmon më shumë jogatishmëri për t’u ulur në tryezë”, ka thënë ai.

Borrell bërë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur deri më tash në dialogun që lehtësohet  nga Bashkimi Evropian.

Dialogu Kosovë- Serbi ka nisur në vitin 2011, si dialog për çështje teknike. Por, me kalimin e kohës ai ka degraduar dhe ështën shndërruar në dialog kryekëput politik. Pala kosovare këmbëngul që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje që ka nëthelm njohjen reciproke të dy shteteve, ndërsa pala serbe kërkon një “zgjidhje kompromisi” që e përjashton njohjen e shtetit të Kosovës.

(r.m.)